Site icon PrishtinaPress

Presidenca jep detaje nga takimi i Osmanit me Ahmetin

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim Kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, i shoqëruar nga ish-ministri i Jashtëm, Bujar Osmani dhe sekretarja për barazi gjinore, Arta Bilalli-Zendeli.

Gjatë takimit, Presidenca thotë se u diskutua për zhvillimet aktuale politike në Kosovë dhe në rajon, me theks të veçantë në rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe përfaqësuesve politikë shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, transmeton klankosova.tv.

Presidentja Osmani, theksoi se shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, janë faktor thelbësor për stabilitetin dhe integrimin e këtij shteti.

Siç ka deklaruar edhe më parë, presidentja Osmani, ritheksoi se shqiptarët janë popull konstituiv në Maqedoninë e Veriut dhe forcë vendimtare që kanë drejtuar vendin drejt integrimit euroatlantik.

”Prandaj, çdo tendencë për shkeljen e Marrëveshjes së Ohrit sa i përket të drejtave tashmë të fituara e të konfirmuara të shqiptarëve në RMV duhet të kundërshtohet me vendosmëri nga të gjithë shqiptarët në RMV, si dhe i gjithë faktori shqiptar në rajon”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Në këtë kuadër, ajo rikonfirmoi përkushtimin e Republikës së Kosovës për të thelluar bashkëpunimin me të gjitha forcat që punojnë në shërbim të paqes, stabilitetit dhe perspektivës euroatlantike të të gjithë rajonit.

Exit mobile version