Presidentja Vjosa Osmani ka zhvilluar sot takimin konsultativ me subjektet politike për caktimin e datës së zgjedhjeve lokale.
Gjatë takimit, Presidenca tha se Osmani ka dëgjuar qëndrimet dhe propozimet e subjekteve politike, “prandaj në ditët në vijim, konform përgjegjësive kushtetuese dhe ligjeve në fuqi, do ta caktojë datën e mbajtjes së zgjedhjeve lokale”.
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha se në takimin me presidenten Vjosa Osmani dhe përfaqësuesit e partive politike ka propozuar datën 12 tetor për mbajtjen e zgjedhjeve komunale.
Ndërsa, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka theksuar se të gjitha datat e propozuara për mbajtjen e zgjedhjeve lokale janë të pranueshme për PDK-në.
Sipas tij, preferenca personale është që zgjedhjet të mbahen më 12 ose 19 tetor, megjithatë nuk ka ndonjë mospajtim të madh mes partive për pjesën e datave.