Në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqi janë pranuar kërkesat e katër viktimave për të marrë pjesë në proces, ndërsa një tjetër është refuzuar.
Kjo kërkesë është bërë nga dy raporte të Zyrës Administrative të Gjykatës Speciale dhe vendimi është marrë më 15 maj 2025, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Sipas zëdhënësit të DhSK-së, Michael Doyle, Rregullorja e DhSK-së u lejon gjyqtarëve të pranojnë kërkesa të paraqitura pas afatit, në rast që ka arsye bindëse.
Aktualisht numri i viktimave pjesëmarrëse në këtë rast është 156.
Po ashtu, Doyle foli edhe për pranimin me shkrim të dëshmisë së katër dëshmitarëve sipas Rregullës 155. Ai tregoi që është refuzuar kërkesa për dëshminë e një dëshmitari tjetër.
Ndërsa, në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Fadil Fazliut, Isni Kilajt dhe Hajredin Kuçit, Doyle tha se gjykatësja e procedurës paraprake zgjati afatin për Prokurorinë për t’iu përgjigjur mocioneve paraprake të mbrojtjes në atë çështje. Tha se në këtë rast deri më tani janë dorëzuar pesë mocione paraprake.
Veç kësaj, Doyle përmendi edhe seancat e Apelit ndaj Pjetër Shalës, në të cilat mbrojtja kishte kërkuar që vendimi për dënimin ndaj klientit të tyre të rrëzohet dhe që Shala të shpallet i pafajshëm.