12.8 C
Pristina
spot_img

Përparim Rama: Nuk bëj pazare politike, epoka e sabotimeve nga “Pastrimi” përfundon tani

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar sërish lidhur me situatën alarmante të krijuar nga ndërprerja e shërbimeve për grumbullimin e mbeturinave nga Ndërmarrja “Pastrimi”.

Në një deklaratë të publikuar të dielën, Rama e ka cilësuar këtë krizë si “kulmin e papërgjegjësisë institucionale” dhe ka akuzuar për përdorim të ndërmarrjes si instrument shantazhi për interesa politike.

“Po shfrytëzojmë të gjitha kapacitetet alternative që kemi në dispozicion për të menaxhuar situatën”, ka shkruar Rama, duke shtuar se ekipet komunale kanë qenë të angazhuara në terren gjatë gjithë vikendit, 24 orë në ditë, për të rikthyer kontrollin mbi situatën.

Kryetari ka theksuar se, pavarësisht miliona eurove të investuara ndër vite në “Pastrimi”, shërbimet e kësaj ndërmarrjeje kanë qenë të paqëndrueshme dhe të shfrytëzuara për qëllime politike.

“Qytetarët nuk do të penalizohen për shkak të kalkulimeve politike të askujt”, ka garantuar ai, duke njoftuar se nga dita e hënë pritet rikthimi i shërbimit në normalitet.

Në mesazhin e tij, Rama ka qenë i ashpër ndaj praktikave të politikës lokale, duke theksuar se nuk ka ardhur në krye të Prishtinës për të bërë “pazare politike” apo për të negociuar në takime të fshehta. Ai ka paralajmëruar për një qasje të re ndaj menaxhimit të ndërmarrjeve publike dhe ka premtuar se “epoka e sabotimeve dhe e keqpërdorimit të parasë publike merr fund tani, përfundimisht”.

Në fund, ai ka falënderuar qytetarët për mirëkuptimin dhe mobilizimin e tyre për të ruajtur pastërtinë në kryeqytet, duke theksuar se sabotimet janë tashmë të zbuluara dhe nuk do të tolerohen më.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img