Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, po qëndron për vizitë zyrtare në Malajzi, ku sot është pritur me nderime të larta shtetërore nga Kryeministri Anwar bin Ibrahim në Kompleksin Qeveritar “Perdana Putra” në Putrajaya.
Në këtë takim, Osmani falënderoi kryeministrin malajzian për mbështetjen e vazhdueshme që shteti i tij i ka dhënë Kosovës, duke e cilësuar Malajzinë si një prej vendeve të para që e njohu pavarësinë e Kosovës më 2008.
“Presidentja Osmani vlerësoi kontributin e Malajzisë në periudhat kyçe të shtetndërtimit të Kosovës që nga paslufta e deri më sot, ndaj falënderoi kryeministrin Anëar për vazhdimin e mbështetjes për forcimin e pozitës së Kosovës në arenën ndërkombëtare. Në shenjë mirënjohjeje për njohjen dhe kontributin nga shteti i Malajzisë për pavarësinë e Kosovës, procesin e shtetndërtimit dhe përkushtimin e tij për forcimin e marrëdhënieve bilaterale ndërmjet dy shteteve, Presidentja Osmani e dekoroi Kryeministrin Anëar Ibrahim me Urdhrin e Pavarësisë.”, thuhet në njoftimin e presidencës.
Në takim u diskutua për mundësinë e thellimit të bashkëpunimit në fusha të tilla si ekonomia, tregtia, inovacioni dhe turizmi.
Presidentja Osmani propozoi mbajtjen e një forumi ekonomik Kosovë–Malajzi, si dhe e ftoi zyrtarisht Kryeministrin Anwar për një vizitë në Kosovë.