Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, është nderuar me medaljen prestigjioze “Faithful and Meritorious Medal for Service to Country” (Medalja për Shërbim Besnik dhe Meritor ndaj Vendit) nga Guvernatori i Përgjithshëm i Antigua dhe Barbuda, Sir Dr. Rodney Williams, sipas autorizimit nga Mbreti Charles III.
Në një ceremoni solemne, Guvernatori i Përgjithshëm i Antigua dhe Barbuda, Sir Dr. Rodney Williams, e ka nderuar Presidenten Osmani për lidershipin e saj të guximshëm dhe kontributin e jashtëzakonshëm në avancimin e paqes, demokracisë dhe fuqizimin e rolit të grave në udhëheqje.
Ai e ka cilësuar Presidenten Osmani si “shembull frymëzues i udhëheqjes bashkëkohore dhe një zë i palëkundur për drejtësinë dhe barazinë në skenën ndërkombëtare”.
Sir Dr. Rodney Williams theksoi gjithashtu: “Vizioni dhe integriteti i Presidentes Osmani kanë kaluar kufijtë e shtetit të saj, duke prekur zemrat dhe ndërgjegjen e shumë njerëzve në të gjithë botën, sidomos grave dhe vajzave.”
Presidentja Osmani e ka quajtur këtë nder si një mirënjohje për popullin e Kosovës, duke deklaruar: “Kjo dekoratë është për popullin tim, i cili ka qëndruar gjithmonë me dinjitet dhe vendosmëri në mbrojtje të lirisë.”
Medalja Zyrtare e Shquar për Shërbim Besnik dhe të Merituar ndaj Atdheut është një nga dekoratat më të larta shtetërore të Antigua dhe Barbuda, e cila jepet për individë me merita të veçanta në shërbim të vendit dhe që kanë një ndikim të dukshëm në përparimin e vlerave universale.
