Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kërkuar nga Bashkimi Evropian heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës.
Në Ditën e Evropës, ajo ka bërë me dije se njëzëri duhet kërkuar heqjen e këtyre masave të padrejta.
Në profilin e saj në “Facebook”, ajo ka kërkuar nga BE-ja që të trajtohet me seriozitet edhe politikat destabilizuese të Serbisë.
“Për popullin e Kosovës, kjo ditë përfaqëson një dëshmi të përkushtimit tonë të palëkundur, sepse ne besojmë në Evropë, pavarësisht sfidave dhe padrejtësive me të cilat përballemi gjatë këtij rrugëtimi.Në këtë ditë të shënuar, është me rëndësi që, me një zë, të kërkojmë heqjen e masave të padrejta të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, si dhe trajtimin me seriozitet të politikave destabilizuese të Serbisë—të cilat u bënë edhe më të dukshme edhe kur Vuçiq zgjodhi ta shënojë Ditën e Evropës në Moskë, pikërisht te Putini, ai që sot po rrezikon stabilitetin dhe sigurinë e kontinentit tonë”, ka shkruar Osmani.
Sipas saj, duhet të marrin fund politikat ndëshkuese ndaj popullit më evropian.
“Që ëndrra e evropianëve për një Evropë të tërë, të lirë dhe të bashkuar të realizohet plotësisht, duhet të marrin fund politikat ndëshkuese ndaj popullit më pro-evropian dhe të ndalen politikat akomoduese ndaj Serbisë proputiniste”, ka shkruar Osmani.