Në pasditen e djeshme, treni është sulmuar me gurë nga disa persona të panjohur në fshatin Grabovc të Obiliqit, shkruan Gazeta Sinjali.
Sinjali ka raportuar dje për këtë rast duke zbuluar edhe identitetin e personit që mbeti e lënduar nga ky incident, të 27 vjeçares, Shkurtesa Tahiraj.
Kjo ngjarje ka ndodhur në kohën kur treni ishte në lëvizje, në afërsi të fshatit Grabovc, ndërsa viktima është transportuar për trajtim në QKMF Drenas.
Ky incident ka shkaktuar reagim të ashpër nga kompania hekurudhore Trainkos, e cila e ka cilësuar incidentin si një akt “të papërgjegjshëm dhe të rrezikshëm” që përbën kërcënim serioz për jetën e udhëtarëve.
“Ky akt i papërgjegjshëm dhe i rrezikshëm përbën një kërcënim serioz për sigurinë e pasagjerëve dhe stafit tonë, si dhe për integritetin e shërbimeve tona hekurudhore.
Trainkos dënon fuqishëm çdo formë dhune ndaj trenave dhe udhëtarëve dhe thekson se siguria e pasagjerëve dhe e stafit mbetet prioriteti i saj kryesor. Po ashtu, Trainkos është zotuar për bashkëpunim të ngushtë me autoritetet që autorët e këtij akti të dalin para drejtësisë.