Presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka marrë pjesë në paradën e madhe ushtarake të mbajtur në Sheshin e Kuq në Moskë, me rastin e 80-vjetorit të fitores kundër fashizmit. Por përtej deklaratave të tij për rëndësinë e kësaj vizite, ajo që ka marrë vëmendjen është mënyra si është trajtuar ai në këtë ngjarje ndërkombëtare.
Në një fotografi të shpërndarë në rrjetet sociale nga kryetari i Partisë Republikane Serbe, Nikola Sanduloviq, shihet se Vuçiq është ulur në rreshtin e fundit, afër presidentit rus Vladimir Putin.
Sanduloviq nuk kurseu kritikat, duke e përshkruar Vuçiqin si një figurë të pavlerë në politikën botërore.
“Ja sa vlen në politikën reale ndërkombëtare diktatori i çmendur serb Aleksandar Vuçiq. Ulur në rreshtin e fundit pranë padronit të tij Putinit, ashtu si edhe në të gjitha takimet e tjera të rëndësishme ndërkombëtare ku mblidhen presidentët e vendeve”, ka shkruar Sanduloviq në rrjete sociale.
“Vetëm në Serbi ai mund ta paraqesë veten si një figurë të rëndësishme politike në skenën ndërkombëtare me gënjeshtra, trillime dhe mistifikime personale… Përndryshe, në ato mbledhje gjithmonë shihet qartë se çfarë mendojnë për të dhe si e trajtojnë”. shtoi ai.
Vuçiq, ndërkohë, e ka cilësuar vizitën në Moskë si “të rëndësishme për arsye konkrete dhe racionale”, përfshirë energjinë dhe marrëdhëniet dypalëshe me Rusinë.
Por ka shprehur pakënaqësi për presionin që, sipas tij, po i bëhet nga Perëndimi.
Kjo nuk është hera e parë që Sanduloviq përplaset me Vuçiqin publikisht. Kritikët e presidentit serb gjithnjë e më shpesh e akuzojnë për autokraci dhe lidhje të thella me Kremlinin, në kohën kur shumë vende evropiane e kanë izoluar Rusinë për shkak të agresionit të saj në Ukrainë.