17.4 C
Pristina
spot_img

NATO bën thirrje për rritje të buxheteve ushtarake

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka bërë thirrje për shpenzime dukshëm më të larta për mbrojtjen, në përballje gjeopolitike me Rusinë.

“Ne duhet të jemi të përgatitur, kështu që do të jenë dukshëm më shumë se 2% me të cilat ishim mësuar”, ka theksuar Rutte gjatë një vizite në Lituani.

Sipas tij, objektivi aktual vjetor i shpenzimeve të mbrojtjes prej 2% të prodhimit ekonomik të aleancës nuk është më i mjaftueshëm për të adresuar sfidat e sotme të sigurisë.

Edhe presidenti lituanez, Gitanas Nauseda, u ka bërë thirrje aleatëve të investojnë ndjeshëm më shumë para në ushtri pasi Rusia nuk pret.

Nauseda ka thënë se Rusia po përpiqet të konsolidojë dhe rindërtojë forcat e saj të armatosura sa më shpejt të jetë e mundur.

“Kemi kohë shumë të kufizuar për të bërë të njëjtën gjë. Shpresoj se do të jemi në gjendje të arrijmë marrëveshjen në lidhje me objektivin prej 5% të PBB-së”, ka deklaruar ai.

Rutte mori pjesë në një takim njëditor të të ashtuquajturit Grupi i Nëntëve të Bukureshtit (B9) dhe vendeve nordike në Vilnius.

Samiti, në të cilin mori pjesë edhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, shërbeu për t’u përgatitur për samitin e NATO-s që do të mbahet pas rreth tre javësh në Hagë.

Sekretari i Përgjithshëm falënderoi presidentin Nauseda për organizimin e takimit dhe përgëzoi lidershipin dhe angazhimin e Lituanisë ndaj NATO-s.

“Lituania është një aleat i vendosur dhe vazhdon të udhëheqë me shembull”, Rutte, duke theksuar investimin aktual të Lituanisë prej mbi 4% të PBB-së në mbrojtje dhe planet e saj për ta rritur këtë në 5-6% në vitin 2026.

“Kjo dërgon një mesazh tepër të fuqishëm angazhimi ndaj mbrojtjes sonë kolektive dhe gjithashtu vendos një shembull për aleatët tanë të tjerë. Në këtë fazë dhe në takimet tona sot, është e qartë se angazhimi ndaj mbrojtjes kolektive është i fortë”, ka theksuar ai.

Udhëheqësit diskutuan se si të forcojnë më tej frenimin dhe mbrojtjen e NATO-s.

“Po përballemi me mjedisin më të rrezikshëm të sigurisë në dekada. Nuk jemi në luftë – por as në paqe nuk jemi”, ka theksuar Rutte.

Ai theksoi nevojën për t’u përqendruar në gatishmërinë për luftë, duke përfshirë shumë më tepër forca që janë të trajnuara mirë, të pajisura mirë, të mbështetura plotësisht dhe të qëndrueshme.

Rutte ka deklaruar se pret që Samiti në Hagë të demonstrojë angazhimin e qëndrueshëm të Aleatëve ndaj mbrojtjes kolektive – përmes rritjes së investimeve në mbrojtje dhe prodhimit industrial të mbrojtjes, si dhe marrëveshjes mbi objektiva të reja ambicioze të aftësive.

B9 përfshin Poloninë, Rumaninë, Bullgarinë, Hungarinë, Republikën Çeke, Sllovakinë dhe tre shtetet baltike të Estonisë, Letonisë dhe Lituanisë.

Shtetet nordike janë Finlanda, Suedia, Norvegjia, Danimarka dhe Islanda.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img