22 C
Pristina
spot_img

Mustafa: Me bllokadë politike dhe rritje çmimesh, Albin Kurti po vështirëson jetën e qytetarëve

Anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Arben Mustafa ka alarmuar për përshpejtim të rritjes së çmimeve të produkteve bazike, në këtë periudhë kur Lëvizja Vetëvendosje ka vendosur ta bllokojë Kuvendin, përderisa po e mbanë të uzurpuar pushtetin qeveritar.

Në një konferencë të mbajtur për media, Mustafa tha se të dhënat e muajit prill tregojnë për rritje dyshifrore të çmimeve të produkteve bazike, të cilat e prekin çdo familje.

“Të dhënat e muajit prill tregojnë për rritje dyshifrore të çmimeve të produkteve bazike, të cilat prekin çdo qytetar, çdo familje. Çmimet e produkteve si mishi, vajrat dhe yndyrat, pemët, si dhe kafja e çaji u rritën me nga 10 deri në 16.4%. Në anën tjetër, punëtorët, pensionistët dhe përfituesit e kategorive të ndryshme sociale vazhdojnë të mos kenë rritje të të hyrave. Pra, vazhdojnë të jenë të braktisur në kohën kur shpenzimet e jetesës çdo ditë e më tepër po bëhen më të papërballueshme”, theksoi Mustafa.

Ai shtoi se ekonomia e vendit po vazhdon të ballafaqohet me përkeqësim të mëtejmë të deficitit tregtar, si pasojë e rënies së eksporteve dhe rritjes së importeve, duke theksuar se vetëm në tre muajt e parë të këtij viti, ky deficit arriti në 1.4 miliardë euro.

Sipas tij, ky pozicion i pafavorshëm tregtar për biznese, pritet të thellohet edhe më tutje përmes masave për pengimin e furnizimit me energji brenda vendit.

“Vendimi për të nxjerrë bizneset në tregun e hapur të furnizimit me energji, pa asnjë masë përgatitore dhe pa u siguruar se do të ketë konkurrencë të mirëfilltë në tregun e furnizuesve të energjisë, pritet të rrisë me rreth 260% shpenzimet e furnizimit me energji për bizneset që kanë mbi 50 punëtorë apo mbi 10 milionë euro qarkullim vjetor. Një shtrenjtim kaq i madh i faturës së energjisë për disa biznese mund të nënkuptojë mbyllje të biznesit, ndërsa për një pjesë tjetër goditje të madhe në pozicionin konkurrues, duke i bërë eksportet e kompanive kosovare shumë më të shtrenjta dhe si pasojë, edhe më të pakta se që janë aktualisht. Më pak eksporte nga kompanitë kosovare do të thotë më pak vende pune në Kosovë, më pak të ardhura për familjet kosovare dhe më pak tatime të paguara për shtetin e Kosovës. Me një fjalë, kjo qeveri po e godet rëndë sektorin privat dhe me këtë po godet shtyllën kryesore të punësimit dhe të gjenerimit të të ardhurave për familjet kosovare”, tha ai.

Anëtari i kryesisë së PDK-së, konsideron se Albin Kurti nuk ka ndjeshmëri as ndaj këtij kërcënimi të hapur që po i kanoset ekonomisë së Kosovës, prandaj edhe nuk sheh urgjencë të hapjes së rrugës për zhbllokimin e institucioneve të vendit.

“Çdo ditë shtesë e kësaj bllokade po rëndon mbi të tashmen dhe të ardhmen e shtetit të Kosovës, si dhe mbi cilësinë e jetës së çdo familjeje në Kosovë. Prandaj, edhe sot i bëjmë thirrje partisë që ka dalë e para në zgjedhje të marrë përgjegjësinë që i takon për zhbllokimin e procesit të konstituimit të Kuvendit dhe të hapë rrugë për krijimin e një qeverie të përgjegjshme që punon për një jetë më të mirë për qytetarët e Kosovës”, përfundoi Mustafa.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img