Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, ka reaguar lidhur me situatën e vazhdueshme të bllokadës në Kuvendin e Kosovës, i cili ka dështuar të konstituohet për të njëmbëdhjetën herë radhazi. Murati ka propozuar që Kosova të ndjekë shembullin e Gjermanisë, duke aplikuar votimin e fshehtë si formë për tejkalimin e këtij ngërçi institucional.
Në reagim, Murati e thumboi edhe propozimin më të fundit të LDK-së për “qeveri tranzicionale”, duke thënë se “askush nuk e bëri temë ndërrimin e kandidatit dhe askush nuk kërkoi qeveri tranzicioni.”
Postimi:
ME VOTIM TË FSHEHTË, Bundestagu Gjerman sapo votoi për Kancelarin Friedrich Merz.
Votimi i fshehtë është formë demokratike për shprehje të vullnetit të lirë të deputetëve, dhe do të mundësonte zgjidhjen e ngërçit për konstituim të Kuvendit edhe tek ne.
Bllokada që opozita po vazhdon t’ia bëjë konstituimit të Kuvendit është jashtë çdo arsyeje.
Është për t’u marrë shembull sjellja e partive gjermane, që, megjithëse votimi për Kancelar në herën e parë dështoi të prodhonte rezultat, askush nuk e bëri temë ndërrimin e kandidatit dhe askush nuk kërkoi qeveri tranzicioni.