Qeveria e Kosovës po akuzon Serbinë se është distancuar nga Marrëveshja Bazë e Brukselit dhe aneksi i Ohrit për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
Sipas tyre, lobimi aktiv i Serbisë kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës dhe letra e kryeministres serbe, Ana Bërnabiq drejtuar Bashkimit Evropian, e kanë sulmuar marrëveshjen në dy pikat e saj qendrore që do t’ia pamundësojnë zbatimin e saj.
Edhe përfaqësuesi i BE-së për dialog, Miroslav Lajçak, është akuzuar se nuk ka arritur ta bindë Serbinë për nënshkrim të ujdisë dhe zbatim të saj.
Jeton Zulfaj, këshilltar politik i kryeministrit, Albin Kurti, tha se Serbia me veprimet e fundit e ka kontestuar ekzistencën e marrëveshjes së Brukselit.
“Serbia është distancuar nga marrëveshja dhe ka dërguar letër në Bashkimin Evropian, ku thotë se marrëveshja nuk është e obligueshme ligjërisht për Serbinë dhe nuk është e pranueshme në tërësinë e saj.
E ka sulmuar marrëveshjen në dy pikat e saj qendrore të cilat e pamundësojnë zbatimin e saj…Kjo është problem, në vend që të fokusohemi në zbatimin e saj, Serbia po e konteston ekzistencën e saj. Prandaj nënshkrimi i marrëveshjes është bërë i nevojshëm për të siguruar ligjshmërinë e saj. Një marrëveshje që duhet konsideruar ligjërisht e obligueshme, duhet të pranohet nga dy palët”, thotë ai.
Duke folur për rolin e emisarit të BE-së për dialog, Miroslav Lajçak, teksa është në përfundim të mandatit, Zulfaj thotë se kanë pasur mospajtime për shkak të qasjes së tij dhe mosbarazisë ndërmjet palëve.
“Sigurisht ne kemi pasur mospajtime të cilat i kemi bërë edhe publike për mënyrën dhe qasjen në dialog sepse barazia e palëve për ne ka qenë dhe mbetet qenësore. Temat të cilat shtrohen kanë të bëjnë me normalizimin e marrëdhënieve që qojnë drejt njohjes reciproke…Marrëveshjen që e kemi arrit është mundësi e humbur që nuk kanë arrit të sjellin Serbinë për të nënshkruar.
Mendoj se në këtë drejtim dhe këtë dritë duhet të shihet edhe puna e emisarit. Një marrëveshje të cilën ishte i angazhuar nuk arriti të sjell Serbinë që ta nënshkruaj dhe tash kemi qëndrimin publik dhe zyrtarë të Serbisë kundër kësaj marrëveshje edhe në të shkruar. Në prapavijë ajo që len është kjo marrëveshje dhe këtë aneks që po e konteston Serbia, në këtë pikë jemi”, thekson Zulfaj.