Lidhja Demokratike e Kosovës pas mbledhjes së kryesisë dhe Grupit Parlamentar ka thënë se kriza aktuale politike është pasojë e paaftësisë së partisë së parë, Lëvizjes Vetëvendosje, për ta krijuar shumicën parlamentare, zgjedhjen e kryetarit dhe konstitutimit të kuvendit.
Në reagim pas kësaj mbledhjeje, LDK-ja tha se çdo përpjekje për të funksionalizuar institucionet pa një shumicë të tillë, nuk është tjetër veçse përpjekje për të imponuar arbitrarisht dëshira politike partiake mbi realitetin politik.
“Së këndejmi, insistim kokëfortë dhe me vetëdije për të përsëritur procesin e dështuar për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit për herën e gjashtëmbëdhjetë, nuk jep asnjë zgjidhje”.
“Lidhja Demokratike e Kosovës vlerëson se gjendja e tanishme nuk mund të vazhdojë deri në pafundësi. Çdo vonesë në ndërtimin e institucioneve, çdo ditë me një qeveri në detyrë që vepron përtej kompetencave kushtetuese, deri në shkelje të rënda penale, është dëm për interesin e qytetarëve dhe cenon rëndë rendin kushtetues institucional të vendit”.
“Me qëllim të zgjidhjes së krizës, Lidhja Demokratike e Kosovës ka dhënë propozimin për krijimin e një qeverie gjithëpërfshirëse kalimtare, me mandat dhe detyrime të përcaktuara qartë. Kryesia e LDK-së vlerëson se propozimi i LDK-së për zgjidhjen e krizës është më i përshtatshmi dhe i shërben interesit të vendit”, thuhet në deklaratën e LDK-së, transmeton Klankosova.tv.
Më tej, në deklaratë u tha se LDK-ja do të vazhdojë të jetë e përgjegjshme dhe do të sillet me maturi në drejtim të zgjidhjes së krizës.
“Lidhja Demokratike e Kosovës fton të gjitha partitë politike që të mbështesin idenë për një qeveri gjithëpërfshirëse kalimtare, si rruga më e mirë të zgjidhur krizën e thellë”, thuhet në deklaratë.