Kryeministri në detyrë Albin Kurti, ka vizituar komandën e divizionit të 28-të të këmbësorisë së Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e cila po drejton brigadat shumëkombëshe në kuadër të ushtrimit të përbashkët ushtarak Defender Europe 25 që po mbahet në Kosovë.
Në këtë vizitë, Kurtit i shoqëroheshin ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, dhe Komandanti i FSK-së, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari.
Gjatë vizitës, Kurti theksoi se ky ushtrim është duke u zhvilluar me sukses të plotë, ndërsa vlerësoi lart bashkëpunimin ndërkombëtar ushtarak.
“Ushtria jonë çdo ditë po dëshmon aftësitë ndërvepruese me ushtritë e vendeve të NATO-së”, ka shkruar ai në një postim në Facebook.

Pas vizitës në komandën amerikane, delegacioni ka vazhduar në Devë, ku vizituan një batalion shumëkombësh të Forcës për Detyrë, të udhëhequr nga regjimenti i dytë i këmbësorisë së FSK-së.
Në fund, ata kanë inspektuar poligonin për qitje me armë të lehta – një investim i realizuar falë donacionit të Shteteve të Bashkuara për ushtrinë e Kosovës. Gjithashtu, Kurti ka nënvizuar punët infrastrukturore që po zhvillohen në zonën kryesore të trajnimit në Babaj të Bokës, duke i konsideruar ato si përforcim të kapaciteteve ushtarake dhe trajnimit të FSK-së.
Ushtrimi “Defender Europe 25” është një nga më të mëdhenjtë të organizuar nga SHBA dhe NATO në rajon, me pjesëmarrjen e dhjetëra mijëra trupave nga vende aleate dhe partnere.