Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka njoftuar se sot Kosova ka qenë për herë të parë nikoqir i punimeve të Këshillit Botëror të Unionit Ndërkombëtar të të Rinjve Socialistë (IUSY), ku rinia e VV-së është votuar si anëtare vëzhguese e këtij Unioni.
Kryetari i VV-së Kurti ka shpërndarë fjalimin e mbajtur gjatë këtyre punimeve.
Në fjalën e tij Kurti tha se Kosova si vend pritës i këtij Këshilli është shembull i fuqisë transformuese të rinisë dhe i vendosmërisë për të ndërtuar një shoqëri të drejtë.Ai tha se gjatë mandatit të tyre katër-vjeçar punësimi u shtua duke arritur rritjen më të madhe ndonjëherë e pikërisht rinia ishte ndër përfituesit më të mëdhenj.
“U dyfishua numri i të të punësuarve: nga më pak se 29 mijë sa ishin në vitin 2021, në vitin 2023 ky numër iu afrua 61 mijë të rinj të punësuar, ku gjysma e punësimeve të reja ishin vajza. Përmes Platformës SuperPuna, për më pak se dy vite Qeveria punësoi mbi 14 mijë të rinj të moshës nga 18-29 vjeç, prej tyre më shumë se gjysma, saktësisht 51%, ishin vajza, që u punësuan në gjithsej 9,500 biznese vendore. Përmes programit Kosova Generation Unlimited janë ofruar edhe mundësi praktike për mbi 3 mijë të rinj, nga të cilat 59% janë vajza e gra, 12% nga komuniteti serb dhe 4% nga komunitetet tjera jo-shumicë” tha Kurti ndër të tjera në fjalën e tij