Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në shënimin e 26-vjetorit të masakrës së Dubravës, në një nga vendet më ekstreme të trashëgimisë së errët të kohës së luftës në Kosovë.
Në oborrin e burgut të Dubravës, Kurti, ka thënë se ky vend, ky oborr, strukturat ndërtimore të këtij burgu, kjo tokë dhe e tërë hapësira përreth, përbëjnë një nga zonat më të rënduara me përjetime vuajtjesh dhe vdekjesh njerëzore në tërë Kosovën.
“Zbulimi i masakrës së Dubravës, është para së gjithash zbulim i vendeve ku ajo ngjau, i kufomave të viktimave dhe i dëshmive të rrëfyera nga dëshmitarët. Masakra e Dubravës, filloi të zbulohej qysh në ditët e para pas luftës”, ka thënë Kurti.
Teksa ka rikujtuar gjithë kronologjinë e ngjarjes së tmerrshme, kryeministri ka thënë se më 24 maj 1999, nga rreth 980 të burgosur shqiptarë sa ishin grumbulluar në burgun e Dubravës, një ishte zhdukur, politikani dhe profesori Ukshin Hoti, që edhe sot vazhdon të jetë mes të zhdukurve me dhunë, 117 të burgosur janë vrarë, kurse mbi 300 të tjerë janë plagosur, prej tyre rreth 185 rëndë.