Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka bërë të ditur se të martën Kryesia e PDK-së do të mblidhet për të shqyrtuar propozimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Në një deklarim për klankosova.tv, Krasniqi theksoi se qëndrimi i PDK-së ndaj situatës aktuale politike ka qenë i qëndrueshëm dhe i qartë, duke kritikuar qasjen e Lëvizjes Vetëvendosje, të cilën e akuzon për bllokadë institucionale dhe mungesë të vullnetit për zgjidhje.
”Qëndrimet tona lidhur me situatën e krijuar janë të qarta dhe konsistente. Ne kemi theksuar vazhdimisht se vendi nuk mund të mbetet peng i interesave të ngushta politike dhe se bllokada institucionale është pasojë direkte e qasjes së papërgjegjshme dhe imponuese të Lëvizjes Vetëvendosje, e cila po insiston me çdo kusht ta mbajë vendin në krizë.
Sa i përket propozimit të LDK-së, jam i informuar tashmë. Gjithsesi, vendimet e rëndësishme ne i marrim në organet e partisë, andaj nesër, në mbledhjen e rregullt të Kryesisë do të diskutojmë për të gjitha zhvillimet politike dhe për hapat e mëtejshëm”.