Tashmë në Presidencën e Kosovës ka arritur letra “se si të veprohet tutje”, pas ndërprerjes së seancës konstituive të martën.
Kjo është konfirmuar për Nacionalen nga këshilltari për media i presidents, Bekim Kupina.
“Letra sapo ka ardhë në Presidencë dhe ekipi ligjor i Presidencës është duke e analizuar, për t’i propozuar Presidentes hapat e mëtejmë” – ka thënë ai.
Kryesuesi i seancës konstituive të legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës, Avni Dehari, dje e ndërpreu seancën pasi raporti i Komisionit të Përkohshëm për Verifikimin e Mandateve nuk e ka marrë shumicën e votave të deputetëve.
Ai të martën deklaroi se do t’i drejtohet presidentes Vjosa Osmani se si të veprohet më tutje.
“Për shkak të rrethanave të krijuara, meqë raporti i komisionit nuk mori votat e mjaftueshme. Në këto rrethana detyrohem ta ndërpresin seancën dhe me një letër ta njoftojmë presidenten se si do të veprohet në të ardhmen” – u shpreh Dehari.
Megjithatë, njohësit e rrethanave kushtetuese në vend kanë bërë me dije se në këtë rast nuk lëndë as për presidenten Vjosa Osmani dhe as Gjykatën Kushtetuese.
Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, u shpreh se institucionet tjera nuk kanë punë me këtë çështje.
“S`ka këtu presidentja punë më. Nuk e kuptoj kush po i mëson kështu”.
Edhe Instituti Demokratik i Kosovës ka thënë se vazhdimi i seancës duhet të thirret sa më shpejt.
“Përpjekjet për përfshirjen e Presidentes për t’i dhënë drejtim procesit të konstituimit të Kuvendit, përveçse tërësisht të panevojshme, janë juridikisht të pavlefshme. Roli dhe kompetencat e Presidentes përfundojnë me thirrjen e seancës – ndërsa menaxhimi i saj është përgjegjësi ekskluzive e kryesuesit të seancës, Avni Dehari” – thuhej në një komunikatë të KDI-së.
Në anën tjetër, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka thënë se deri nesër në orën 10:00 duhet të mbahet seanca konstituive e Kuvendit.
Abdixhiku përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, ka ftuar të gjithë deputetët e certifikuar që të jenë prezentë në seanë.
“Seanca konstituive e Kuvendit të Republikës duhet të mbahet e të thirret më së largu çdo 48 orë. Nesër, nga ora 10:00, siç e parasheh Rregullorja e Kuvendit të Kosovës, deputetët e LDK-së do të jenë prezent në seancën që duhet të ndodhë.
LDK-ja i fton të gjithë deputetët e certifikuar dhe të gjitha partitë parlamentare, të jenë prezent në këtë seancë.
Njëkohësisht, ftojmë kabinetin qeveritar, që pretendojnë se janë dorëhequr por ende, dhe paradoksalisht, mbajnë mbledhje qeveritare dhe marrin vendime, të dorëhiqen dhe këto dorëheqje t’i deponojnë te organet e Kuvendit të Kosovës. Të tjerët anëtarë të Qeverisë që s’janë apo s’duan të betohen si deputetë, vazhdojnë punën në Qeveri; deri në zgjedhjen e Qeverisë së re” – ka thënë ai.
“Nesër, nga ora 10:00, mblidhemi në seancë” – ka shkruar tutje Abdixhiku.