Site icon PrishtinaPress

Këmbët tuaja, ilaçi më i lirë: Ecja lufton kancerin

Për vite me radhë, arritja e shifrës “magjike” prej 10,000 hapash në ditë është konsideruar si mënyra më e mirë për të ruajtur shëndetin fizik dhe mendor.

Por një studim i ri nga Universiteti i Oksfordit sugjeron se mjaftojnë vetëm 7,000 hapa në ditë për të ulur ndjeshëm rrezikun për zhvillimin e 13 llojeve të ndryshme të kancerit, transmeton klankosova.tv.

Sipas studimit, ata që bënin rreth 7,000 hapa në ditë kishin 11% më pak gjasa për të zhvilluar këto lloje kanceri, ndërsa ata që e çonin numrin e hapave në 9,000 kishin 16% më pak rrezik. Megjithatë, mbi këtë shifër, studiuesit nuk panë ndonjë përfitim shtesë domethënës.

Në studim morën pjesë mbi 85,000 persona në Mbretërinë e Bashkuar, të cilët mbanin pajisje të posaçme për të matur aktivitetin fizik gjatë një jave.

Pjesëmarrësit u ndoqën për 6 vjet dhe rezultatet treguan se ecja prej 5,000 deri në 9,000 hapa në ditë ulte rrezikun e kancerit, pavarësisht shpejtësisë së ecjes.

Llojet e kancerit të përfshira në studim ishin: ezofagut, mëlçisë, mushkërive, veshkave, stomakut, mitrës, leukemisë mieloide, mielomës, zorrës së trashë, kokës dhe qafës, rektumit, fshikëzës dhe gjirit – të gjitha të lidhura më parë me mungesën e aktivitetit fizik.

Vetëm 3% e pjesëmarrësve zhvilluan një nga këto kancere gjatë periudhës së ndjekjes, duke përforcuar rëndësinë e lëvizjes së përditshme për shëndetin afatgjatë.

Exit mobile version