10.9 C
Pristina
spot_img

“Kanceri i gjirit nuk është më një dënim i keq”, zbulimi i hershëm, trajtimi i duhur dhe forca e grave po e kthejnë sfidën në fitore

Situata e grave të diagnostikuara me kancer të gjirit në Kosovë ka shënuar përmirësime të dukshme në vitet e fundit, falë zbulimit të hershëm dhe fushatave të vetëdijesimit, konfirmon Drejtori i Klinikës së Onkologjisë, dr.Ilir Kurtishi. Po ashtu, nga Spitali i Përgjithshëm në Pejë treguan se numri i grave që e përballojnë me sukses kancerin e gjirit është në rritje. Shumica e grave që diagnostikohen në stadin I apo II kanë përgjigje shumë të mira ndaj trajtimit dhe një prognozë afatgjatë pozitive, nënvizon ky spital. Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Mimoza Kusari-Lila, është shembull i rëndësisë së kontrollove të rregullta mjekësore. Si rezultat i vëmendjes që i kushtoi shëndetit të saj, ajo e zbuloi sëmundjen në një fazë shumë të hershme. Kusari-Lila tregon se nuk e ka parë kurrë veten si të pafat, por ka zgjedhur forcën e kurajon për ta përballuar kancerin e gjirit. Edhe gjatë fushatës zgjedhore, ajo nuk u ndal, ndonëse ishte në proces rrezatimi. Deputetja u bën thirrje të gjitha grave që përballen me këtë sfidë që të mos e fajësojnë veten, por të ecin përpara me shpresë dhe vendosmëri. Në anën tjetër, Doktoresha e Shkencave të Nutricionit, dr. Diola Dosti, thekson rëndësinë e ushqimit të shëndetshëm gjatë periudhës së kimioterapisë. Ajo ofron këshilla për ushqimet që duhet konsumuar në këtë fazë, si dhe për modelet ushqimore që ndihmojnë në parandalimin dhe uljen e rrezikut për rikthimin e kancerit. Ndërkohë, Psikologia Klinike, dr. Pranvera Jetishi Çollaku, flet për rëndësinë e të menduarit pozitiv. Ajo thekson se ruajtja e optimizmit dhe shpresës ndihmon gratë të përballen më fuqishëm me sëmundjen, duke e pranuar atë, por pa u dorëzuar. 

Gratë me kancer të gjirit në Kosovë po përballen me më shumë forcë, falë zbulimit të hershëm, kujdesit të shtuar dhe frymës së shpresës. 

Shefi i Onkologjisë në QKUK, Ilir Kurtishi, thotëse kanceri i gjirit nuk është më një dënim i keq, veçanërisht kur zbulohet herët.

Doktori tha se në vitin 2024 u regjistruan 465 raste të reja të kancerit të gjirit në Kosovë, “prej tyre më shumë se 55% diagnostikohen në stadin I dhe II”, dhe “kjo është një e arritur e madhe për trajtim të suksesshëm të sëmundjes”, konsideron ai.

“Zbulimi i hershëm përmes mamografisë, ekzaminimeve klinike dhe vetëkontrollit është çelësi për trajtim të suksesshëm”, thotë doktori.

Dr.Kurtishi vlerëson se ndërgjegjësimi dhe edukimi janë armët më të fuqishme në luftën kundër kancerit të gjirit.

“Gratë në Kosovë nuk duhet të jetojnë në frikë, por të inkurajohen për kontrolle të rregullta dhe të kërkojnë mbështetje kur është e nevojshme”, këshillon doktori.

Ai vë fokusin mbi rëndësinë e diagnostikimit të hershëm të kancerit të gjirit, që nënkupton se gjasat për shërim janë të larta.

“Megjithatë, shkalla e mbijetesës varet nga faza e diagnostikimit. Nëse sëmundja zbulohet në fazat e hershme, shanset për shërim janë të larta, ndërsa diagnostikimi në fazat e avancuara e bën trajtimin më të vështirë dhe ul shanset për mbijetesë”, përfundon doktori.

Deputetja e Kuvendit të Kosovës Mimoza Kusari-Lila e zbuloi herët kancerin e gjirit

Mimoza Kusari-Lila, politikane e njohur e cila ka thyer barriera si gruaja e parë kryetare komune, tregon për periudhën dhe optimizmin e saj kur u diagnostikua me kancer të gjirit, gjatë kontrollës rutinë.

Unë jam dignostikuar me kancer gjatë një kontrolle rutinë, në muajin tetor të vitit të kaluar (2024), muaj që zakonisht me vite me radhë kam kryer mamografinë, apo ultrazërin. Sapo e ndjeva dyshimin e radiologes për masën e dyshimtë, pranova propozimin e saj për të kryer biopsinë aty në vend”, tha Kusari-Lila.

Edhe pse ishte në pritje të rezultatit të biopsisë, Kusari-Lila thotë se ishte e “vetëdijshme se shansat për diagnostifikim pozitiv ishin të mëdha”.

Pavarësisht kësaj,”prapë isha optimiste për shëndetin, duke e ditur se e kisha zënë në fazë shumë të hershme paraqitjen e kësaj sëmundje vdekjeprurëse”, shprehet Kusari-Lila.

Ndër shqetësimet më të mëdha, ajo veçon vështirësinë për ta ndarë lajmin me familjarët, duke qenë se sëmundja e lajmëruar nuk ishte e lehtë për t’u përballuar.

“Në mendje në ato ditë më shkonte sa mund të menaxhoj nga koha që kisha para operimit dhe si do e ndaja lajmin me fëmijët dhe prindërit, bashkëshorti ka qenë me mua në ditën e kontrollit, andaj ai e dinte që në fillim”.

“Pasi ndava lajmin me prindërit dhe djemtë, me një kujdes extra të veçantë duke treguar për shansat e mëdha të jetës sime mëtutje dhe pa pasoja, jam ndier e lehtësuar dhe kam vazhduar me planifikimin e operimit konform edhe obligimeve publike që kisha”.

Për shkak të angazhimeve në Kuvendin e Kosovës, deputetja kishte përshtatur datën e operimit me ato të angazhimeve ditore në mënyrë që mos të mos mungonte në punë.

“Në atë kohë kemi qenë në fazat finale para pranimit të buxhetit për vitin 2025 miratim në  Kuvend, andaj edhe data e operimit sipas sygjerimeve të doktorëve në QKUK, është modikfikuar me datat e miratimit të buxhetit në lexim të parë edhe të dytë”.

Rutinën e vazhdoi, duke u rikthyer në punë tri ditë pas operimit.

 “Tri ditë pasi kreva operimin, kam qenë në Kuvendin e Kosovës, për miratimin e buxhetit në lexim të parë, dhe dy javë më pas, kemi kryer miratimin në lexim të dytë. Në mënyren e vet paradoksale, ngarkesa në punë më ka ndihmuar ta kaloj më lehtë periudhen e rikupereimit pas operimit”, shprehet Kusari-Lila.

Deputetja Kusari-Lila, pohoi se gjithmonë është përcjell nga ndjenja e mosdorëzimit si dhe shton se problemet tejkalohen shumë më lehtë kur jemi optimist.

Edhe në këtë sfidë, deputetja kishte vendosur t’i jap vetës kurajo

“E njejta ndjenjë e mosdorëzimit ishte aktive në mua edhe për sëmundjen e kancerit. Unë kam kryer operimin dhe pastaj gjatë gjithë periudhës së fushatës, kryeja rrezatimet, trajtim posoperativ, megjithatë, ndihesha mirë dhe nuk doja asesi të konsideroj veten fatkeqe ose të kem mendime negative për të ardhmen. Në të kunderten, vendosa të jap forcë dhe kurajo edhe tjerëve nga ajo përvojë që kisha deri tani.”

Si rast i sukseshëm që zbuloi kancerin herët, deputetja shpjegon se në momente të tilla, gratë nuk duhet të izolohen e as t’i dorëzohen stigmës.

“Secila grua që lufton për jetën, duhet të tregojë atë që ndien. Nëse ka nevojë për mbështetje, duhet të kërkojë atë, nëse ndien mërzinë dhe pesimizmin duhet të kërkojë edhe ndihmën profesionale, të mjekut, por edhe të mos i dorëzohet stigmës, duke u izoluar, apo duke mos ndarë me shoqërinë ndjenjat dhe nevojat e saj. Sëmundjet nuk janë dobësi, por gjendje të cilat kërkojnë trajtim”. 

Ajo jep edhe një mesazh për të gjitha gratë që po luftojnë me kancerin e gjirit, por ndjehen të thyera.

“Të gjitha grave që ndihen të vetmuara apo të frikësuara, ju bëjë thirrje, të flasin dhe të gjejnë tjerat që ballafaqohen me kancerin. Mos ta ngarkojnë veten apo më keq gjykojnë veten, pse ju ndodhi bash atyre, por të shikojnë përpara dhe lexojnë e mësojnë për praktikat e shëndosha të ushqimit, të jetës pas diagnostifikimit me kancerin e gjirit. Jeta ka shumë sfida, por nuk do të thotë që duhet t’i dorëzohemi atyre. Sfidat janë për t’u tejkaluar dhe jeta për t’u jetuar me besim dhe shikim kah e ardhmja”.

Gjithashtu bën thirrje që edhe personat që ndiejnë veten të shëndoshë, “të mos neglizhojnë rendësinë e kontrolleve periodike dhe analizave. Çdo sëmundje trajtohet shumë më lehtë dhe më shpejtë, kur detektohet më herët. Detektimi i hershëm shpëton jetë”, përfundon ajo.

Rritet numri i grave që kalojnë me sukses kancerin e gjirit

Spitali i Përgjithshëm i Pejës konfirmon se numri i grave që e përballojnë me sukses kancerin e gjirit është në rritje.

“Shumica e grave që diagnostikohen në stadin I apo II kanë përgjigje shumë të mira ndaj trajtimit dhe një prognozë afatgjatë pozitive. Kjo lidhet me vetëdijësimin në rritje, kontrollin e hershëm dhe bashkëpunimin ndërmjet niveleve të kujdesit shëndetësor”, thuhet në përgjigjen e spitalit

Spitali informon se në Kosovë, përfshirë edhe Pejën, po vërehet një përmirësim i dukshëm në qasjen ndaj diagnostikimit dhe trajtimit.

Gjithashtu ritheksohet se diagnostikimi i hershëm shpëton jetë.

“Sa më herët që një grua të zbulojë një ndryshim në trupin e saj dhe të kërkojë ndihmë, aq më shumë rriten mundësitë për shërim dhe jetë të gjatë”, thonë nga Spitali i Pejës.

Dr.Dosti: Zgjidh ushqimin me zgjuarsi!

Doktoresha e Shkencave të Nutricionit, Diola Dosti, njëherit nutricioniste klinike prej 13 vitesh, që ka punuar me shumë gra gjatë dhe pas trajtimit të kancerit, rekomandon ushqimet që duhet konsumuar gjatë kimioterapisë, mbështetur në literaturë shkencore.

Dr.Dosti thekson se gjatë kimioterapisë, trupi përballet me sfida të mëdha, si; lodhje, rënie në peshë, çrregullime të tretjes dhe dobësim të sistemit imunitar.

Këto janë rekomandimet më të fuqishme ushqimore për këtë fazë: “Proteina me cilësi të lartë, për rigjenerimin e qelizave: vezë, peshk i egër, mish pule organik, kos natyral, thjerrëza.Karbohidrate me indeks të ulët glicemik: tërshërë, oriz kaf, patate e ëmbël – për të shmangur fluktuacionet në nivelin e glukozës”, vijon dr.Dosti.

Pastaj informon për konsumin e perimeve me pigment të theksuar si;“Brokoli, panxhar, spinaq, karrota – të pasura me sulforafan dhe beta-karoten, që ndihmojnë në riparimin e ADN-së”.

“Yndyrna të shëndetshme: vaj ulliri ekstra i virgjër, farat chia, avokado, arra – për mbështetjen e sistemit nervor dhe hormone”.

“Probiotikë dhe prebiotikë: për ruajtjen e shëndetit të zorrës pas trajtimit me antibiotikë dhe kimioterapi”.

“Hidratim i mirë: ujë i thjeshtë, çaj jeshil ose bimor, lëng selino– për detoksifikim të butë të mëlçisë”.

E pyetur se aekziston një dietë kundër kancerit, Dr.Diola Dosti, ndau me ne ushqimet që duhet konsumuar për parandalimin e kancerit.

Ekziston një model ushqimor që ndihmon në parandalimin dhe reduktimin e rrezikut të rikthimit të kancerit — ajo është dieta antiangiogjenike, që vepron duke penguar formimin e enëve të reja të gjakut (angiogjeneza), të cilat janë jetike për rritjen e tumoreve, tha dr.Diola Dosti për Gazetën Express.

Ajo renditi ushqimet antiangiogjenike më të fuqishme:

“Çaji jeshil (i pasur me EGCG), Boronica, rrushi i zi, manaferrat (resveratrol), Domatet dhe shalqiri (likopen), Hudhra, qepa, lakrat, brokoli (sulforafan), Vaji i ullirit ekstra i virgjër dhe farat e lirit, Shafrani i Indisë me piper të zi (kurkumina)”.

“Studime si ai i Folkman & Kerbel (2007, Nature Revieës Cancer) dhe publikime të mëvonshme në Nutrients (2019) konfirmojnë efektin e këtyre ushqimeve në inhibimin e angiogjenezës tumorale, veçanërisht tek tumoret e gjirit”, shpjegon dr.Dosti.

“Por gjithmonë terapitë ushqimore duhet bërë të personalizuara. Nuk ka një terapi nutricionale për të gjithë, aq më tepër kur flasim për patologji të tilla”, vijon Dosti.

Ajo shpjegon edhe për rolin e agjërimit të ndërprerë (Intermittent Fasting) në reduktimin e qelizave kancerogjene dhe agjërimin e ndërprerë (IF) për çka thotë se është një praktikë me efekte të fuqishme biologjike dhe antikancerogjene:

“Efekte të konfirmuara nga studime:

Redukton nivelet e IGF-1, një hormon që ndihmon rritjen e qelizave të shpejta (përfshirë ato tumorale).

Indukton autofagjinë – një proces qelizor që pastron qelizat e dëmtuara dhe mutante.Përmirëson ndjeshmërinë ndaj trajtimeve si kimioterapia dhe zvogëlon efektet anësore të saj.(PubMed ID: 35848874; Longo et al., 2022)”.

Modelet më të përdorura:

“16:8 – agjërim për 16 orë, ngrënie për 8 orë (zakonisht nga ora 12:00-20:00)

Dieta që imiton agjërimin (FMD) – një plan ushqimor 5-ditor, i ulët në kalori dhe proteina, që stimulon efektet e agjërimit pa ndalje totale ushqimi.

Kujdes: IF duhet të praktikohet me mbikëqyrje nga doktori i nutricionit, veçanërisht gjatë trajtimit aktiv me kimioterapi”, këshillon Dosti.

Dosti: Çfarë më ka mësuar përvoja me gratë që kanë kaluar kancerin e gjirit?

“Kam pasur privilegjin të punoj me gra të jashtëzakonshme, dhe kjo më ka mësuar:

Ushqimi është më shumë se kalori — është kujtesë e fuqisë për të zgjedhur. Gratë nuk duhet t’i hapin varrin vetes me lugë e me pirun! Pra zgjidh ushqimin me zgjuarsi!

Gratë që lidhin ushqimin me qëllim, ndjenjë dhe kujdes, rigjenerohen më shpejt – jo vetëm fizikisht por edhe shpirtërisht.

Krijimi i një rutine ushqimore jo me frikë, por me dhembshuri për trupin e tyre është kyç në rimëkëmbje. Dhe lutjet shpirtërore janë ilaç!”, përfundon dr. Diola Dosti.

Psikologe klinike Jetishi-Çollaku: Mendimi pozitiv, optimizmi dhe shpresa janë tri dimensione shumë të rëndësishme

Psikologe Klinike Prof. Ass. Dr Pranvera Jetishi Çollaku, e cila udhëheq Qendrën për Mirëqenie Psikologjike, Hulumtim dhe Mbështëtje Edukative “MIND CARE”, thekson rëndësinë dhe ndikimin që ka mendimi pozitiv te gratë që diagnostikohen me kancer të gjirit.

Ka raste kur gratë pavarësisht që kalojnë nëpër një sëmundje të rëndë siç është kanceri i gjirit, arrijnë ta ruajnë optimizmin dhe shpresën për jetën, duke pranuar sëmundjen por duke mos iu dorëzuar asaj.Mendimi pozitiv, optimizmi dhe shpresa janë tri dimensione shumë të rëndësishme për ruajtjen e mirëqenies psikologjike të këtyre grave, gjatë ballafaqimit dhe trajtimit të sëmundjes”, tha Jetishi-Çollaku për Gazetën Express.

Ajo shpjegon se gratë me nivel të lartë të mendimit pozitiv krijojnë stil më të mirë jetese.

“Po ashtu, gratë me nivel të lartë të mendimit pozitiv arrinë të krijojnë stil më të mirë të jetesës, ruajnë kontaktet e tyre sociale, vijojnë punën, rutinat ditore, shërbejnë si burim i shpresës dhe mbështetjes për gratë e tjera të prekura nga sëmundja dhe në disa raste tregojnë edhe mbijetesë më të gjatë”, shprehet psikologia klinike Jetishi-Çollaku.

Pas diagnostikimit me kancer të gjirit dhe trajtimit që sjell ndryshime trupore, gratë përballen me sfida emocionale të thella, ndaj është thelbësore të kultivohet shpresa dhe mendimi pozitiv për ta lehtësuar pranimin e imazhit të ri trupor, na rikujton psikologia.

Jetishi-Çollaku thekson se mbështetja psikologjike në këto faza është thelbësore, për të ndihmuar gratë të përpunojnë emocionet, të rindërtojnë vetëbesimin dhe të përshtaten me ndryshimet që sjell trajtimi i sëmundjes.

“Kjo mund të arrihet përmes mbështetjes familjare dhe shoqërore, psikoterapisë individuale apo në grup (përmes grupeve mbështetëse nga gratë e tjera që kanë kaluar të njejtin proces), teknikave dhe aktiviteteve që ndimojnë zhvillimin e resurseve pozitive, rritjen e vetëvlerësimit, kuptimin e jetës, menaxhimin e stresit, përmes terapisë së artit, teknikave të relaksimit dhe meditimit, sikurse duke inkurajuar edhe reflektimin për kujdesin për veten dhe stilin e jetesës”, këshillon psikologia.

Psikologia thekson se mendësia pozitive, e kombinuar me kujdesin shëndetësor dhe mbështetjen psikologjike, ndikon ndjeshëm në trajtimin dhe qëndrueshmërinë emocionale të pacienteve me kancer gjiri.

Gjithashtu psikologia Jetishi-Çollaku thekson se“ka gra që edhe pas trajtimit të kancerit të gjirit me sukses, pas disa viteve janë përballur edhe me shfaqjen e sëmundjes në ndonjë organ tjetër dhe pavarësisht vështirësive të shfaqura kanë arritë të tejkalojnë edhe sfidën e dytë”.

“Gratë që, edhe në momentet më të vështira e më të ndjeshme të jetës, mbledhen forcat nga thellësia e vetes për të fituar betejat, janë burimi më i mirë i shpresës për gratë që po kalojnë të njejtat vështirësi e sfida në përballim të kësaj sëmundjeje”, përfundon psikologia.

Të dhënat nga OBSH dhe organizata tjera kredibile të shëndetësisë, mbështesin fuqishëm idenë se diagnostikimi i hershëm i kancerit të gjirit është një mjet i fuqishëm për shpëtimin e jetëve dhe përmirësimin e cilësisë së jetës për gratë në mbarë botën.

Ky artikull është prodhuar në kuadër të aktivitetit “Media nxit diskutimin për angazhimin e pacientëve”, një partneritet ndërmjet Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK) dhe projektit Shërbimet Shëndetësore të Integruara (IHS), i cili është një nismë e përbashkët e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim në Kosovë. Përmbajtja e këtij artikulli nuk përfaqëson domosdoshmërisht pikëpamjet e IHS-së apo AGK-së.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img