Site icon PrishtinaPress

Juria e votoi dobët – por votat e publikut ndryshojnë drastikisht renditjen e Shqipërisë në ‘Eurovision 2025’

Spektakli i madh i ‘Eurovision Song Contest 2025’ ka përfunduar mbrëmjen e sotme me një atmosferë të jashtëzakonshme, shumë emocione dhe një rezultat që solli diskutime të shumta – veçanërisht për mënyrën sesi votimi i publikut përmbysi pritshmëritë.

Teksa juritë profesionale të shteteve dhanë votat e tyre në një mënyrë që shumëkush e konsideroi të ndikuar politikisht, Shqipëria mbeti në një pozitë të pafavorshme, duke u renditur në vendin e 23-të me vetëm 45 pikë. Por, gjithçka ndryshoi kur u hapën rezultatet e televotimit.

Në një kthesë dramatike dhe emocionuese, publiku europian i dhuroi Shqipërisë plot 173 pikë, duke e çuar rezultatin total në 218 pikë dhe duke e ngritur në vendin e tetë të përgjithshëm në finale.

Ky ndryshim i madh dëshmoi qartë se shikuesit nuk ishin dakord me vlerësimin e jurisë dhe se “Zjerm” kishte goditur fort në zemrat e audiencës.

Kënga “Zjerm” nga Shkodra Elektronike, e cila përfaqësoi Shqipërinë këtë vit, u vlerësua për origjinalitetin, energjinë dhe stilin unik që solli në skenën evropiane. Interpretimi dinjitoz dhe autentik i grupit u përmend gjerësisht edhe në rrjetet sociale dhe nga mediat ndërkombëtare.

Austria u shpall fituese e këtij edicioni të mbajtur në Basel të Zvicrës, duke mbyllur një natë të gjatë e të paharrueshme për fansat e muzikës europiane.

Shqipëria këtë vit shkroi një tjetër histori krenarie në Eurovision – një dëshmi që zëri i publikut ka ende peshë. 

Exit mobile version