Zyrtarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sibel Halimi ka reaguar pas ngjarjes tragjike në Prishtinë, ku dyshohet se një burrë qëlloi me thikë të dashurën e tij, e më pas u gjet i vdekur në banesë.
Në një shkrim në Facebook, Halimi ka thënë se dhuna po bëhet pjesë e përditshmërisë.
“Ngjarja e rëndë që ndodhi sot në Prishtinë nuk është thjesht një tragjedi. Është një britmë që kërkon të dëgjohet. Një alarm që kërkon vëmendje më të thellë dhe angazhim institucional. Sepse nuk kemi luksin të kthejmë kokën mënjanë; çdo vonesë, çdo neglizhencë, kushton jetë” – ka thënë ajo.
Tutje, Halimi ka shtuar se “duhet të flasim, të dëgjojmë e të veprojmë”.
“Po rritemi e po jetojmë në një shoqëri që nuk na mëson si të përballojmë emocionet, si të respektojmë tjetrin, si të ndërtojmë marrëdhënie të shëndetshme e të kujdesemi për mirëqenien mendore. Ky boshllëk edukimi po mbushet me dhunë dhe me heshtjen tonë, shpesh jemi bashkëfajtorë.
Nuk mjafton më të ndjejmë keqardhje vetëm pas tragjedive. Duhet të flasim, të dëgjojmë, të veprojmë.
Duhet të themi qartë: dhuna nuk ka vend në jetën tonë”.