Me ftesë zyrtare të Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, në vendin tonë ka mbërritur sot Guvernatori i Përgjithshëm i Antigua dhe Barbudas, Sir Rodney Williams, i shoqëruar nga Zonja e Parë, Lady Sandra Williams, shkruan Gazeta Sinjali.
Sipas njoftimit të Presidencës, Guvernatori Williams do të qëndrojë për vizitë zyrtare në Republikën e Kosovës, gjatë së cilës do të zhvillojë takime të nivelit të lartë me udhëheqës shtetërorë.
Gjatë qëndrimit të tij, Sir Rodney Williams do të marrë pjesë edhe në Forumin Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, i cili organizohet nën udhëheqjen e Presidentes Osmani. Ky forum mbledh liderë dhe përfaqësues ndërkombëtarë për të diskutuar rolin dhe fuqizimin e grave në proceset e paqes dhe sigurisë globale.