Dhjetëra raste të dhunës në familje raportohen çdo ditë në Policinë e Kosovës, ku viktima janë kryesisht gratë që pësojnë nga bashkëshortët e familjarët e tjerë. Një rast i tillë është raportuar sot në Stacionin Policor të Pejës, ku një 37-vjeçare ka akuzuar ish-bashkëshortin për shantazh dhe shqetësim të vazhdueshëm.
Burime të Gazetës Sinjali bëjnë me dije se viktima, A.H., ka deklaruar se është e ndarë nga i dyshuari tash e tetë muaj dhe gjatë kësaj kohe nuk kanë pasur asnjë kontakt.
Por, sipas dëshmisë së saj, në 10 ditët e fundit ai ka filluar ta shqetësojë përmes rrjetit social Instagram, duke shpërndarë video-incizime të saj pa pëlqimin e saj dhe duke e fyer vazhdimisht nëpërmjet thirrjeve telefonike.
Ajo ka theksuar se nuk ka pasur dhunë fizike dhe nuk ka pasur nevojë për trajtim mjekësor. Pas intervistimit nga njësia e hetimeve, viktima është larguar me dëshirë për në shtëpinë e saj.
Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori Kujdestar, i cili ka urdhëruar që rasti të iniciohet si “Dhunë në familje”, ndërsa hetimet janë në zhvillim.