Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, deputeti Albin Kurti, ka marrë pjesë në Këshillin e Gruas së LVV-së, ku përpos për të drejtat e grave, ai gjeti hapësirë edhe për të kritikuar e ofenduar kolegët e tij nga partitë tjera parlamentare.
Derisa në ditën e zgjedhjeve, pas përfundimit të procesit, opozitën e mandatit të kaluar i quajti “hajvanë”, tash ka gjetur epitete tjera për ta.
Partitë nga të cilat po kërkon t’ia votojnë kandidaten për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, ai i quajti “struktura patriarkale” dhe “të prapambetura”.
“Më duhet të flas edhe për situatën aktuale politike, sepse kjo situatë gjithashtu e reflekton përballjen me struktura hierarkike, patriarkale të prapambetura”, tha në fillim Kurti.
Ai shtoi se “përderisa ne si qeveri angazhohemi çdo ditë që grave t’u besohen pozita të ndryshme udhëheqëse, deputetët e opozitës nuk po e bëjnë këtë në Kuvendin e Republikës”.
Për më tepër, Kurti tentoi që qasjen e partive që s’po ia votojnë Haxhiun ta cilësojë si “përballje gjinore”.
“Lufta kundër kryetares së GVV-së, Albulena Haxhiu, nuk është vetëm përplasje politike a partiake, por edhe përballje gjinore.”, tha ndër të tjera Kurti.
Megjithatë, duhet kujtuar që partitë të cilat në mandatin e kaluar ishin në opozitë, kanë propozuar edhe emra tjerë grash, si Saranda Bogujevci dhe Shqipe Selimi, për të cilat kanë thënë se do t’i votojnë për postin e të parit të Kuvendit.
Tutje, shefi në detyrë i qeverisë tha se Albulena Haxhiun nuk po ia votojnë deputetët të cilët, sipas tij, në të kaluarën kanë votuar “votime të këqija”, e të cilët, sipas tij, janë “të papenduar”.
Sot u mbajt tentimi i 24-të në Kuvend për të konstituuar të njëjtin, por sërish epilogu ishte i njëjtë – pa rezultat. /Klankosova.tv