Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Eliza Hoxha, ka reaguar ashpër ndaj kryetarit të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, për gjendjen e rënduar me mbeturina në kryeqytet, duke e akuzuar këtë të fundit për keqmenaxhim dhe mungesë përkushtimi ndaj nevojave të qytetarëve.
Hoxha, përmes një postimi në Facebook, ka vlerësuar se Rama ka dështuar ta kuptojë rolin e tij si udhëheqës i qytetit dhe është fokusuar në ambicie personale, ndërsa sipas saj Prishtina po përballet me probleme të mëdha të pastrimit dhe mirëmbajtjes.
“Përparim Rama një gjë të thjeshtë nuk e ka kuptuar në këto vite në qeverisje. Ai nuk është arkitekti i qytetit. Ai është kryetari prej të cilit pritet të menaxhojë qytetin, të mirëmbajë qytetin, të zhvillojë qytetin dhe t’i zgjidhë problemet e qytetit”, ka shkruar Hoxha, transmeton Telegrafi.
Duke kritikuar qasjen e Ramës ndaj udhëheqjes së kryeqytetit, Hoxha ka thënë se Prishtina nuk është një “fletë e bardhë” mbi të cilën Rama mund të vizatojë “ëndrrat e tij personale”, por një hapësirë me histori dhe përpjekje të qytetarëve që meritojnë më shumë.
“Qyteti i Prishtinës është vendi ku andrra e përpjekje të qytetarëve të Kosovës kanë shënuar historitë e sukseset edhe në kohët më të vështira. E ai, po i mbytë andrrat e qytetarëve në këtë qytet përditë”, ka shkruar ajo.
Në përfundim të reagimit të saj, deputetja e PDK-së ka përdorur një gjuhë të ashpër ndaj kryetarit të Prishtinës.
“E ke bo bërllog kryetar. BËRLLOG. Jo veç qytetin e Prishtinës por e ke njollosë edhe respektin për arkitektin”, ka shkruar deputetja Hoxha.