Disa kompani ajrore globale përsëri i kanë ndërprerë fluturimet për në Tel Aviv dhe nga Tel Avivi, pasi një raketë e hedhur nga rebelët e grupit Houthi drejt Izraelit të dielën ra afër aeroportit kryesor ndërkombëtar të vendit.
Kompanitë e huaja ajrore i kishin rinisur fluturimet për në Izrael pas arritjes së armëpushimit mes Izraelit e Hamasit në janar. Shumë prej kompanive i kishin ndërprerë fluturimet për një pjesë të madhe të periudhës pas sulmit të Hamasit në Izrael më 7 tetor 2023, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Disa nga kompanitë që i anuluan pësëri fluturimet për në Izrael pas sulmit të së dielës janë: “Aegean Airlines”, “Air Baltic”, “Air Europa”, KLM, “Delta Air Lines” dhe “ITA Airways”.
Rebelët Houthi kanë arritur marrëveshje me Shtetet e Bashkuara për ndërprerjen e sulmeve ndaj anijeve amerikane, por një zyrtar i grupit ka thënë se në këtë pakt nuk përfshihet Izraeli.