ZRrE-ja ka dalur me një komunikatë për media, duke thënë se veç gjykatat mund t’i shtyjnë ose zhbëjnë vendimet e ZRrE-së, dhe asnjë institucion tjetër publik.
E plotë:
Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE), në përputhje me mandatin e saj ligjor, ndjen nevojën, për të sqaruar publikun dhe për të ruajtur korrektësinë e informacionit që shpërndahet lidhur me proceset rregullative dhe vendimmarrjen për tarifat e energjisë elektrike, pas deklaratave të dalura në media nga takimi me deputetët e LDK-së.
ZRRE është institucion i pavarur, në kuadër të mandatit të dhënë me ligj, ka për detyrë rregullimin, mbikëqyrjen dhe monitorimin e sektorit të energjisë në Republikën e Kosovës. Një nga funksionet themelore të ZRrE-së është shqyrtimi dhe miratimi i tarifave të energjisë, në përputhje me Metodologjinë tarifore dhe parimet e përcaktuara me ligj, si: transparenca, drejtësia, jo-diskriminimi dhe qëndrueshmëria financiare e sistemit energjetik.
Deklarimet se “vetëm qeveria mund ta shtyjë vendimin për shtrenjtimin e rrymës” janë të pasakta dhe nuk qëndrojnë në përputhje me kornizën ligjore që rregullon sektorin e energjisë. Vendimet për tarifat janë kompetencë ekskluzive e ZRrE-së, dhe asnjë institucion tjetër nuk ka mandat ligjor për të anuluar apo shtyrë vendimet e ZRrE. Qeveria mund të ndikojë në uljen e ndikimit të faturave vetëm përmes mekanizmit të subvencionimit direkt te konsumatoret, por kjo nuk përbën vendimmarrje rregullative.
Sipas legjislacionit në fuqi, vendimet e ZRrE, nuk mund të rishikohen apo kontestohen nga asnjë institucion publik, përveç shqyrtimit gjyqësor në gjykatën kompetente të Kosovës, sipas Ligjit për Konflitet Administrative.
Sa i përket tregut të hapur të energjisë, ZRrE sqaron se kalimi i konsumatorëve komercialë në tregun e lirë është proces që buron nga obligimet për liberalizim të tregut sipas direktivave evropiane, të cilat janë të inkorporuara në legjislacionin primar, e që datojnë që nga vitit 2016, meqë rast 5 konsumatorë tashmë furnizohen në treg të energjisë elektrike. Deri tani ky aktivitet është shtyer për shkak të pasojave të pandemisë dhe të krizës energjetike, të cilat krijuan pasiguri në furnizim me energji elektrike dhe stabilitet të tregut të energjisë. Megjithatë, tani janë plotësuar kushtet e nevojshme për t’u mundësuar konsumatorëve që përmbushin kriteret të kalojnë në treg të hapur dhe të përfitojnë nga mundësitë e konkurrencës.
Për më tepër, ZRrE do të monitorojë çdo hap të këtij procesi, për të siguruar mbrojtjen e interesave të konsumatorëve dhe për të garantuar që të gjitha palët e përfshira të respektojnë normat dhe standardet ligjore në fuqi.