Faqja zyrtare e Kryeministrisë ka njoftuar për diskutimet në darkën e punës në mes të kryeministrit në detyrë Albin Kurti dhe kryediplomates evropiane, Kaja Kallas.
“Kryeministri theksoi se vendi ynë, krahas linjëzimit të politikës së jashtme me atë të Bashkimit Evropian, ka bërë progres të konsiderueshëm në reforma të brendshme, dhe se kjo evidentohet dhe dëshmohet edhe në raportet e vendit të BE-së. Kryeministri e falënderoi znj. Kallas për njoftimin se BE ka nisur largimin gradual të masave kufizuese ndaj Kosovës dhe përpjekjet e saj në këtë drejtim, teksa shtoi se ato duhet të hiqen plotësisht dhe theksoi që Kosova duhet të marrë statusin kandidat si demokracia më e avancuar e Ballkanit Perëndimor” – thuhet në njoftim të Kryeministrisë.
Kurti dhe Kallas, referuar njoftimit të Kryeministrisë, kanë diskutuar edhe rreth procesit për formimin e institucioneve.
“Gjatë darkës së shtruar nga kryeministri, gjithashtu u diskutua edhe për procesin paszgjedhor në vend dhe angazhimet për formimin e institucioneve të legjislaturës së nëntë” – thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, Kurti dhe Kallas floën edhe për dialogun Kosovë – Serbi si dhe për çështjen e të drejtave të shqiptarëve në Luginë.
“Në lidhje me procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga BE, kryeministri theksoi rëndësinë e zbatimit të plotë të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të saj. Ndërkohë që rikujtoi se Serbia duhet të mbahet përgjegjëse për sulmin terrorist dhe paramilitar në Banjskë dhe se kryeterroristi Millan Radoiçiq, për të cilin tashmë ka aktakuzë 160 faqëshe nga Prokuroria e Republikës së Kosovës, duhet t’i dorëzohet Kosovës. Kryeministri Kurti gjithashtu ngriti çështjen e shkeljeve të vazhdueshme dhe të rënda të të drejtave të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc nga shteti i Serbisë dhe kërkoi që BE të bëjë veprime konkrete për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve të luginës”, – thotë njoftimi.