Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar me tone të ashpra ndaj situatës së krijuar në Kuvendin e Kosovës, duke e akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për degradimin e institucioneve dhe mungesë respekti ndaj përfaqësuesve të qytetarëve.
Në një postim të publikuar në Facebook, Çitaku theksoi rëndësinë simbolike dhe historike të Kuvendit për të dhe shumë deputetë të tjerë që kanë marrë pjesë në momentet kyçe të shtetformimit të Kosovës.
“Për shumë prej nesh, Kuvendi nuk është thjesht një ndërtesë. Nuk është thjesht një sallë ku shkojmë, ulemi, ngremë dorën dhe në fund të muajit marrim një pagë. Për mua, Kuvendi është vendi ku kam nënshkruar Deklaratën e Pavarësisë. Është vendi ku kemi miratuar Kushtetutën, ku kemi themeluar Ushtrinë e Kosovës“, shkroi ajo.
Duke kritikuar ashpër sjelljen e mazhorancës në Kuvend, ajo tha: “Është jo vetëm e dhimbshme, por edhe e turpshme të shohësh sesi një grupacion politik po e shndërron Kuvendin në një cirk, si po tallen me të dhe me qytetarët që na kanë besuar votën për t’i përfaqësuar me dinjitet dhe për të marrë vendime me peshë”.
Postimi i plotë:
Për shumë prej nesh, Kuvendi nuk është thjesht një ndërtesë. Nuk është thjesht një sallë ku shkojmë, ulemi, ngremë dorën dhe në fund të muajit marrim një pagë.
Për mua, Kuvendi është vendi ku kam nënshkruar Deklaratën e Pavarësisë. Është vendi ku kemi miratuar Kushtetutën, ku kemi themeluar Ushtrinë e Kosovës.
Për shumë prej nesh, ai vend është emocion, përgjegjësi dhe nder.
Është jo vetëm e dhimbshme, por edhe e turpshme të shohësh sesi një grupacion politik po e shndërron Kuvendin në një cirk, si po tallen me të dhe me qytetarët që na kanë besuar votën për t’i përfaqësuar me dinjitet dhe për të marrë vendime me peshë.
Madje sot, Kryesuesi i Kuvendit ia ndali fjalën Kryetarit të PDK-së dhe nënshkruesit të Deklaratës së Pavarësisë, z. Memli Krasniqi, ndërkohë që fjalën nuk ia ndali përfaqësuesit të Listës Serbe.
Sinqerisht, për turp.