Sekretarja e përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka thënë se në ditën kur Kosovën e viziton Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Kaja Kallas, një zyrtar i lartë i Vetëvendosjes zgjedh të akuzojë partnerët ndërkombëtarë për nxitje trazirash në veri.
Çitaku reagoi kështu pasi zëvendësministri i Pushtetit Lokal, Arbër Vokrri, në një intervistë për KTV-në ka thënë se ndërkombëtarët kanë nxitur trazira në veri.
Më tej për këtë çështje deputetja e PDK-së u shpreh se ky zyrtar nuk përfaqëson as interesin qytetar dhe as vizionin për shtetndërtim.
“Ai përfaqëson një politikë që i shërben vetëm vetes, një politikë që prodhon tension, jo zgjidhje, izolim, jo bashkëpunim. Kur dëgjon deklarata të tilla, nuk është e vështirë të kuptosh pse Kosova sot është më e izoluar se kurrë më parë. Nuk është faji i qytetarëve, por i atyre që e vendosin egon para shtetit, protagonizmin para institucioneve dhe retorikën para realitetit”.
“Pikërisht për këtë arsye Kuvendi ende nuk është konstituuar. Pikërisht për këtë arsye, institucionet nuk po formohen. Dhe ndërkohë që qytetarët përballen çdo ditë me çmime të larta, pasiguri dhe mungesë perspektive, atyre u ofrohet vetëm një gjë, egërsia e fjalëve boshe dhe mburrja me ‘qëndrime të forta’”, ka thënë Çitaku në Facebook.
E njëjta ka pohuar se Kosova ka nevojë për lidership të përgjegjshëm, e jo për zëra që e shohin secilën kritikë si sulm, secilin partner si kundërshtar dhe secilin problem si mundësi për propagandë.