Site icon PrishtinaPress

Çfarë premtojnë kandidatët për Drenas? (Video)

Investitorë nga Evropa, investime në infrastrukturë dhe shfrytëzim të pasurive natyrore, të cilat vazhdojnë të mos shfrytëzohen, janë vetëm disa nga premtimet e kandidatëve për kryetar të Drenasit, zgjedhjet për të cilin do të mbahen më 4 dhjetor. Ata kanë kritika edhe për ikjen e investitorëve. Kurse, kandidimin e Ramiz Lladrovcit nga Partia Demokratike e Kosovës e shohin si imponim të partisë, i cili ka sjellë pakënaqësi te qytetarët.
Kandidatët e pavarur që kanë dalë nga partia më e madhe në Drenas, Partia Demokratike e Kosovës, mendojnë se votat do t’i marrin nga elektorati i kësaj partie. Ndërsa, kandidatët e subjekteve tjera politike, mendojnë se do të fitojnë për shkak të pakënaqësive nga partia që drejton Drenasin që nga paslufta.
Kandidati i Pavarur për komunën e Drenasit, Naim Bazaj, tha për KosovaPress se qytetarëve të Drenasit iu premton vetëm investime. Ai, në të njëjtën kohë, përmendi shifrën për rreth 985 mijë euro që ka humbur Komuna e Drenasit për shkak të ikjes së investitorëve.
I pyetur për kandidaturën e ish-ambasadorit në Shqipëri, Ramiz Lladrovcit, për kryetar të Komunës së Drenasit, ai tha se ky person nuk është dashtë t’i prish kolltukët atje e as të vijë nga qendra, por me propozime konkrete. Ai shpreson që më nuk do të bëhen imponime nga niveli qendror, sepse po sjellin edhe pakënaqësi tek qytetarët.
Kandidati tjetër i pavarur, Rrahim Elshani, ka folur për problemet të cilat janë në komunën e Drenasit, duke u zotuar se ka hartuar plane konkrete për t’i përmirësuar të gjitha këto. Kurse, për propozimin e ish-ambasadorit Lladrovci, tha se këto struktura që janë zgjedhur nuk sjellin ndonjë ndryshim.
“Komuna e Drenasit nuk ka barnatore për barna esenciale, e kjo është një diçka absurde”, tha ai.
Në anën tjetër, kandidati nga Nisma për Kosovën, Isa Xhemajli, tha se nuk do të punojë për subjektin e tij politik, por për qytetarët e Drenasit, dhe se qeverisjen do të bëj me ta.
KosovaPress ka tentuar të flas edhe me kandidatin e Partisë Demokratike të Kosovës, Ramiz LLadrovcin, por një gjë e tillë ishte e pamundur.

Exit mobile version