Aleanca “Shqipëria Madhështore” me në krye PD nga sheshi “Nënë Tereza” çeli këtë të premte fushatën për zgjedhjet 11 Majit.
Në podium përpara të rinjve dhe demokratëve, kreu i PD-së Sali Berisha falënderoi të gjithë demokratët për mbështetjen dhe qëndresën e palodhur, ndërkohë që nuk humbur rast pa kritikuar partinë në pushtet.
Berisha premtoi se kur PD të vijë në pushtet do të vendosë taksa të ulëta për qytetarët. Ai u tha qytetarëve se nëse votojnë për partinë e tij, do votojnë për mundin dhe djersën e tyre.
“Qeveria do të vendosë mbi taksat më të ulëta që ekzistojnë në Europë edhe në votë në mënyrë që ju me mundin dhe djersën tuaj të begatonin dhe të pasuroheni. Nuk ka vend të dytë më të pasur se sa Shqipëria, që të ketë pasuritë e saj përrallore. Sot ato shfrytëzohen nga Edi Rama dhe oligarkët e tij njësoj si sistemi i egër kolonial. Nesër ato do të kthehen për ju, për Shqipërinë Madhështore, për Shqipërinë e së ardhmes”, tha Sali Berisha.
Berisha tha para demokratëve se motoja e tyre është “zero tolerancë” ndaj korrupsionit dhe vjedhjes së qytetarëve nga pushtetarët dhe oligarkët.
“Pastrimi i shtëpisë, Zoti e do shtëpinë kur ne ta pastrojmë atë. Ju garantoj se zero tolerancë ndaj korrupsionit do të jetë motoja jonë. Të dashur miq njeriu i lirë, njeriu i punës dhe i ndershëm nuk ka armik më të egër se sa korrupsioni i qeveritarëve të tij. Korrupsioni vret mundësitë e të rinjve, vret mundësinë e njerëzve. Korrupsioni mbjell krimin e pasigurinë, skamjen dhe varfërinë. Prandaj jam këtu që t’u them shqiptarëve që do të kemi zero tolerancë ndaj vjedhjes së shqiptarëve dhe pasurive të tyre”, tha kreu i PD./abcnews.al