Bekim Jashari, ish-kryetari i Skenderajt, ka bërë të ditur se sot janë mbledhur në Shqiponjë për të përkujtuar 26 vjetorin e çlirimit të këtij fshati, për të nderuar me përulësi e krenari luftën dhe heroizmin e dëshmorëve të tij që ranë për lirinë e Kosovës.
Në një postim në Facebook, ai tha se kujtojnë me nderim të thellë kontributin e familjes së lavdishme Brahimaj, jo vetëm për sakrificën e tyre, por edhe për mikpritjen, guximin dhe qëndresën.
“Në kullën e tyre të qëndresës kanë qëndruar luftëtarë e komandantë nga Drenica e gjithë Kosova, si një dëshmi e fortë që të gjithë ishin të bashkuar në frymë, në ideal dhe në luftë çlirimtare. Në këtë përvjetor, nderuam heroinën e këtij vendi, nënën Aze Brahimaj, të njohur me të drejtë si “Nëna e UÇK-së”. Ajo nuk ishte vetëm një strehuese e luftëtarëve të lirisë, por një pjesëmarrëse aktive në përpjekjet për çlirim”.
“Në këtë ditë përkujtimore, le të reflektojmë thellë mbi sakrificën e dëshmorëve dhe t’i përgjigjemi me vepra amanetit të tyre. Le të ruajmë unitetin kombëtar, të lartësojmë vlerat e lirisë dhe të përkushtohemi, pa dallime politike, për një Kosovë më të drejtë, më të zhvilluar dhe më të bashkuar. Lavdi e përjetshme dëshmorëve të kombit!”, ka thënë ai.