Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Bebe Rexha, është nderuar së fundmi me një tjetër çmim të rëndësishëm nga iHeartRadio, si vlerësim për suksesin e jashtëzakonshëm të saj në industrinë muzikore.
Artistja e njohur publikoi në llogarinë e saj zyrtare në Instagram një video ku shfaqet duke zbuluar trofeun që i është dhënë nga iHeartRadio. Ky çmim vjen si rezultat i mbi një miliard dëgjimeve që ka grumbulluar kënga e saj “I’m Good (Blue)”, në bashkëpunim me David Guetta, në këtë platformë prestigjioze.
Në videon e shpërndarë, Bebe u shfaq e emocionuar teksa falenderoi iHeartRadio për nderimin dhe fansat për përkrahjen e vazhdueshme. Ajo gjithashtu tregoi edhe një tjetër trofe të ngjashëm që e kishte marrë vite më parë për hitin tjetër global “Meant To Be”, në bashkëpunim me Florida Georgia Line.
“Faleminderit iHeartRadio dhe të gjithëve që e keni dëgjuar këngën tonë ‘I’m Good (Blue)’ – kjo është për ju”, u shpreh këngëtarja mes tjerash.
Bebe Rexha vazhdon të jetë një prej emrave më të suksesshëm shqiptarë në skenën ndërkombëtare, duke dëshmuar talentin dhe qëndrueshmërinë e saj me këngë që lënë gjurmë dhe dëgjohen në mbarë botën.