Avokatja Dafina Osmani, e cila është bërë virale në rrjetin social TikTok për mënyrën e thjeshtë dhe të qartë se si i shpjegon të drejtat ligjore qytetarëve, ka folur së fundi në RTV Dukagjini rreth një çështjeje që ka ngjallur shumë debat – të drejtën për të mos dhënë kodin apo fjalëkalimin e telefonit në rast ndalimi nga policia.
“Është një video ku kam fol për kodin apo paswordin e telefonit. Ajo nuk është risi për juristët, por është risi për publikun. Ka pas shumë reagime nga njerëz që s’e kanë ditur. Kur janë ndalur nga policia, e kanë dhënë kodin pa një pa dy”, tha Osmani, duke shtuar se mungesa e informimit shpesh u jep hapësirë abuzimeve.
“Fatkeqësisht, me këtë padijeninë e njerëzve ndoshta mundem me thënë që manipulojnë edhe policia, sepse e kërkojnë kodin menjëherë”, shtoi ajo.
Sipas saj, refuzimi për të dhënë PIN-in apo fjalëkalimin e telefonit është e drejtë kushtetuese dhe e garantuar nga Kodi i Procedurës Penale.
“Mbas të dhënave personale dhe identitetit, çështja e dytë që vjen është ‘si është PIN-i i telefonit’, sepse tashmë dimë që në telefon e kemi jetën. Por mosdhënia e kodit të telefonit është një e drejtë që na garantohet me kod”, theksoi ajo.
Osmani rikujtoi se dhënia e gjurmëve të gishtave mund të bëhet me urdhër, por jo dhënia e fjalëkalimeve.
“Është e drejta për të mos inkriminuar vetveten. Është e drejta e privatësisë. Kështu që duhet me shfrytëzu secili nga ne”, u shpreh ajo.
Sipas avokates, edhe pse autoritetet kanë mjete për të depërtuar në pajisje dhe për të marrë të dhënat përmes ekspertizës digjitale, qytetarët nuk janë të detyruar të bashkëpunojnë në mënyrë që të dëmtojnë veten.
“Nuk është obligim jonë me ia siguru ato të dhëna, qashtu qysh nuk është obligim jonë edhe me dëshmu diçka kundër vetvetes”, shtoi tutje ajo.