Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) i është bashkuar një sërë organizatash evropiane për mbrojtjen e gazetarëve, përfshirë Qendrën Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias (ECPMF), në dënimin e fushatës së nisur nga partia politike Vetëvendosje kundër Pavol Szalai, udhëheqës i Deskut për Bashkimin Evropian dhe Ballkanin Perëndimor në organizatën Reporterët pa Kufij.
Reagimi, i bërë publik përmes rrjeteve sociale, ka theksuar shqetësimin lidhur me gjuhën e përdorur nga zyrtarët e VV-së, veçanërisht ndaj pretendimeve për origjinën e Szalai që janë bërë nga deputeti i zgjedhur, Dimal Basha.
Në deklaratën e ECPMF-së, e cila është mbështetur edhe nga AGK-ja, thuhet qartë, se sulmet ndaj anëtarëve anëtarëve të organizatave ndërkombëtare, nuk ndihmojnë, por vetëm e rikonfirmojnë ambientin me të cilin përballen gazetarët në Kosovë.
“Sulmet ndaj anëtarëve të organizatave ndërkombëtare, duke përfshirë pretendime të rrejshme për origjinën kombëtare të Szalai, nga deputeti i zgjedhur i VV-së, Dimal Basha, nuk ndihmojnë, por vetëm e rikonfirmojnë ambientin e rrezikshëm me të cilin ballafaqohen gazetarët dhe aktivistët në Kosovë”.