11.2 C
Pristina
spot_img

Abdixhiku, Guerotit: Qeveria e Unitetit, zgjidhje e përkohshme por e domosdoshme

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka pritur në takim ambasadorin e Francës në Kosovë, Olivier Guerot.

Ata raportohet se diskutuan rreth zhvillimeve politike në vend, krizën institucionale dhe për qëndrimet e LDK-së karshi kësaj situate.

Sipas njoftimit të lëshuar nga LDK-ja, thuhet se gjatë takimit, Abdixhiku ritheksoi propozimin e partisë që ai e drejton për themelimin e një Qeverie të Unitetit.

“Ai edhe një herë tha se një qeveri e tillë përbën një zgjidhje të përkohshme, por të domosdoshme për të tejkaluar ngërçin politik dhe për të rikthyer funksionalitetin e institucioneve demokratike në vend”, thuhet në njoftimin e LDK-së.

LDK-ja thotë se Abdixhiku ka ritheksuar se “bllokada politike dhe institucionale është e papranueshme, dështimi për të 23-tën herë radhazi është rezultat i paaftësisë së partisë fituese për të krijuar shumicë parlamentare funksionale dhe se ky bllokim përbën një rrezik serioz për mirëqenien e qytetarëve, zhvillimin institucional të vendit dhe rrjedhën normale të proceseve shtetërore”.

Ndër të tjera, ai e ka falënderuar ambasadorin Guerot për mbështetjen e vazhdueshme që Franca i ka dhënë Kosovës gjatë të gjitha proceseve të rëndësishme shtetformuese dhe demokratizuese; ndërsa vlerësoi se bashkëpunimi mes dy vendeve është i domosdoshëm, “jo vetëm për forcimin e marrëdhënieve bilaterale, por edhe për avancimin e pozitës ndërkombëtare të vendit dhe për stabilitetin afatgjatë në rajon”.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img