Mungesa e vullnetit për kompromis dhe e besimit, që pamundëson inaugurimin e Kuvendit të Kosovës tre muaj pas zgjedhjeve parlamentare, është prodhim i mungesës së një vizioni të përbashkët strategjik për të ardhmen e vendit, thotë Adrian Shtuni, ekspert për politikë të jashtme dhe siguri që vepron në Uashington.
Ai pohon se asnjë subjekt nuk është i gatshëm të ndërmarrë hapa që mund ta dobësojnë pozicionin e tij politik, duke e përshkruar situatën si një “zugzwang i ndërsjellë” – një moment kur çdo lëvizje politike përbën rrezik.
Shtuni për REL argumenton se Kosova ka nevojë për një qeveri të qëndrueshme me bazë të gjerë politike ose edhe teknike, të paktën deri në zgjedhjen e presidentit në marsin e vitit 2026. Sipas tij, ngërçi i tanishëm po i kushton rëndë Kosovës, jo vetëm në aspektin e humbjes së kohës dhe mundësive zhvillimore, por edhe në perceptimin ndërkombëtar për stabilitetin dhe funksionalitetin e shtetit.
Shtuni flet, gjithashtu, për rolin e komunitetit ndërkombëtar, që ndonëse nuk po ushtron presion publik, mbetet i përfshirë aktivisht, dhe bën thirrje për vetëdijësim të klasës politike që zgjidhjet të vijnë nga brenda, jo si produkt presioni nga jashtë.
Më 13 maj, për të pesëmbëdhjetën herë me radhë, deputetët e Kuvendit të Kosovës dështuan ta konstituonin përbërjen e nëntë parlamentare, të dalë nga zgjedhjet e shkurtit.