Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës, Ekaterina Trendafilova, nis sot një vizitë zyrtare në Kosovë.
Gjatë kësaj vizite, ajo pritet të mbajë një konferencë për media.
Ndaj vizitës së saj në Kosovë ka reaguar Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, e cila e ka cilësuar këtë vizitë si një provokim të qëllimshëm dhe një fyerje ndaj luftës së tyre çlirimtare.
“Vizita e Kryetares së Gjykatës Speciale më 13 maj në Prishtinë është provokim i qëllimshëm dhe fyerje ndaj luftës sonë çlirimtare!”, kanë shkruar nga OVL-ja e UÇK-së.
“13 Maji është datë e zezë në historinë tonë, themelimi i UDB-së, përndjekësi më i egër i shqiptarëve, dhe dita e rënies heroike të Tahir dhe Nebih Mehës në Prekaz. Të vish në këtë datë, në këtë tokë, me agjendë të njëanshme e pa ndjeshmëri historike, është ofendim për çdo luftëtar dhe për çdo Familje Dëshmori”.
“Gjykata Speciale është padrejtësi e institucionalizuar. E themeluar për të ndjekur vetëm një palë, vetëm UÇK-në, duke anashkaluar krimet e tmerrshme serbe, ajo nuk sjell drejtësi, por hakmarrje politike. Krerët e UÇK-së po mbahen në paraburgim të zgjatur dhe të padrejtë, po përballen me pengesa të rënda në mbrojtje, trajtim të pabarabartë dhe qëllim të qartë për t’i dënuar që më parë se të mbarojë procesi. Kosova nuk ka për çka të turpërohet! Lufta e UÇK-së ka qenë e pastër, e drejtë dhe e domosdoshme. Ne nuk do të heshtim! Liri për luftëtarët tanë!”, thuhet në reagimin e OVL UÇK-së.