19.7 C
Pristina
spot_img

Reuters: Ukraina po e shqyrton largimin nga dollari e afrimin me euron

Ukraina po fillon që të shqyrtojë një tërheqje nga dollari amerikan, me mundësi që ta lidhë valutën e vet më ngushtë me euron, në kohën e copëtimit të tregtisë globale dhe shtimit të lidhjeve të saj me Evropën, i ka thënë agjencisë së lajmeve “Reuters” guvernatori i Bankës Qendrore të Ukrainës, Andriy Pyshnyi.

Pranimi i mundshëm në Bashkimin Evropian, një “fuqizim i rolit të BE-së në garantimin e kapaciteteve tona të mbrojtjes, paqëndrueshmëria më e madhe në tregjet globale dhe mundësia e fragmentimit të tregtisë globale” po e detyrojnë Bankën Qendrore që ta rishikojë çështjen nëse euroja duhet të jetë valutë referente për valutën hryvnia të Ukrainës në vend të dollarit, tha guvernatori Pyshnyi.

“Kjo punë është komplekse dhe kërkon përgatitje të gjithanshme e të cilësisë së lartë” – shtoi ai në komentetet më të drejtpërdrejta nga një zyrtar ukrainas për këtë ndryshim të mundshëm, raporton agjencia “Reuters”.

Udhëheqësit evropianë, përfshirë ata nga BE-ja, janë zotuar për fuqizimin e ushtrisë ukrainase në mënyrë që ajo të mund të jetë shtyllë e sigurisë në të ardhmen në Ukrainë, por progresi ka qenë i vështirë.

Që nga rikthimi i Trumpit në pushtet në Shtëpinë e Bardhë, vlera e dollarit ka rënë për më shumë se 9 për qind në raport me një grumbull valutash të tjera të rëndësishme, pasi investitorët po tërhiqen nga posedimi i aseteve amerikane.

Ukraina e ka filluar përdorimin e valutës hryvnia më 1996 dhe gjatë dekadave e ka shfrytëzuar dollarin amerikan si valutë referente.

Bashkimi Evropian i hapi bisedimet për anëtarësim me Ukrainën dhe Moldavinë para gati një viti, edhe pse këto dy shtete kanë një rrugë të gjatë për të bërë para se të mund të bëhen pjesë e bllokut.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img