Pas publikimit të raportit të fundit të organizatës ndërkombëtare “Reporterët pa Kufij” (RSF), i cili rendit Kosovën në vendin e 75-të për lirinë e mediave, më poshtë se Serbia, ka reaguar edhe zëdhënësi i Qeverisë Kurti, Arlind Manxhuka.
Manxhuka tha se njerëzit që po reagojnë ‘të çuditur’ më raportin, janë ata që kanë dhënë përgjigje para përpilimit të raportit, dhe se duke dashur ta godasin qeverinë përmes raporteve, janë duke dalë edhe më joseriozë.
Duke theksuar se në Kosovë sipas tij ka liri apsolute të të shprehurit.
Këto komente vijnë në kohën kur raporti i RSF-së ngrit shqetësime serioze për gjendjen e gazetarëve në Kosovë, ku përmenden presionet institucionale, polarizimi politik, dhe fushatat diskredituese ndaj mediave kritike, si faktorë kyç në rënien e lirisë së shtypit.
Kosova ka rënë për 19 pozita në indeksin e lirisë së mediave.
Reagimi i plotë:
Në Kosovë jo që ka liri të shprehjes, por ka liri absolute të të shprehurit. Madje deri edhe në mosndëshkim absolut të shpifjes.
Por, si ky raport? E thjeshtë.
Këta që sot po reagojnë “të çuditur” me raportin janë ata që kanë dhënë përgjigje para përpilimit të këtij raporti. Pra, raporti flet për Kosovën sikur kanë folur këta të Kosovës. Duke dashur ta godasin Qeverinë përmes raporteve, në fakt janë duke dalë edhe më joseriozë.
Liria, mendimi, liria e mendimit, shprehja, asnjëherë nuk janë ndalur e as s’mund të ndalen. Por, gënjeshtra ka kosto, nëse jo përmes normash, atëherë me humbje kredibiliteti. Dhe për këtë kanë përgjegjësi këta që sot po “çuditen”.