Një tërmet i fortë ka goditur Stambollin dhe zonat përreth mëngjesin e sotëm, duke shkaktuar shqetësim në mesin e qytetarëve. Sipas të dhënave zyrtare, tërmeti u regjistrua me magnitudë 6.2 ballë, me epiqendër në Detin Marmara, pranë një prej zonave më të populluara të Turqisë, shkruan Gazeta Sinjali.
Agjencia turke për menaxhimin e emergjencave ka konfirmuar se lëkundjet janë ndjerë fuqishëm në të gjithë qytetin, si dhe në komunitetet përreth.
Ministri i Brendshëm i Turqisë, Ali Yerlikaya, ka deklaruar se të gjitha ekipet e emergjencës janë në gatishmëri të plotë dhe janë vendosur në terren për të vlerësuar situatën dhe për të reaguar ndaj çdo nevoje të mundshme.
Autoritetet kanë njoftuar gjithashtu se, përveç goditjes kryesore, janë regjistruar edhe tri paslëkundje me magnituda 4.4, 3.9 dhe 4.9, duke rritur vigjilencën në terren.
Për momentin nuk raportohet për viktima apo dëme të mëdha, por situata po vëzhgohet nga afër dhe pritet që informacionet zyrtare të përditësohen në orët në vijim.