Nuk janë Bonie dhe Clyde – janë Shehidja dhe Valboni nga Istogu që u zunë me drogë brenda burgut. Një të kaluar më të erret kriminale në këtë çift e ka burri. Insajderi sjell dosjen e tij. Pse u dënua çifti nga Gjykata Themelore në Pejë javën e kaluar?
Çifti Valbon Haxhijaj e Shehide Gjoka, prindër të dy fëmijëve e për të cilët është vërtetuar që kanë qenë në bashkësi familjare janë të njohur për organet e rendit/drejtësisë e sigurisë qysh nga viti 2015. Bie në sy dosja e Haxhijajt.
Por, çka thuhet në aktakuzën e fundit, si u kapën me drogë nga gardianët e si tentuan ta fajësojnë njëri-tjetrin?
Ishte pasdite e 16 majit të vitit 2022, Shehide Gjoka i kishte shkuar në vizitë burrit të saj Valbon Haxhijaj i cili ishte në vuajtje të dënimit në Qendrën Korrektuese në Dubravë.
Përveç disa veshmbathjeve që i kishte sjellur ajo me vete, sipas prokurorisë kishte edhe narkotikë të llojit “marihuanë” dhe tableta të llojit “tramadol”. Kjo sasi e drogës ishte vendosur brenda rrobave të të pa ndehurës, Gjoka.
Derisa sasinë e narkotikëve tenton që lehtësisht t’ia lëshojë në duar bashkëshortit, vërehet nga gardianët, të cilët kanë ndërhyrë dhe e kanë sekuestruar të njëjtën.
“Me datë 16.05.2022, rreth orës 15:00, në Qendrën Korrektuese në Dubravë, K. Istog, e pandehura pa autorizim posedon me qellim të shpërndarjes substanca të cilat janë shpallur me ligj si narkotik (Ligji nr. 02/L-128)’ narkotikë të llojit “Marihuanë” në peshë prej 2.7 gram dhe tableta të llojit “Tramadol” në peshë prej 6.63 gram brenda Institucionit korrektues të sipërshënuar, në atë mënyrë që, ditën kritike e pandehura kishte shkuar për të vizituar bashkëshortin e saj këtu të pandehurin Valbon, i cili ishte në vuajtje të dënimit për një vepër tjetër penale, ku në pjesën e brendshme të rrobave të saj kishte futur substancën narkotike të sipërshënuar, të cilën më pas e nxjerrë dhe ia lëshon në duar të pandehurit, ku oficerët korrektues me të vërejtur ndërhyjnë dhe e sekuestrojnë substancën narkotike, e cila pas ekzaminimit ka rezultuar me peshë dhe e llojit si më lart”, thuhet në aktakuzën e siguruar nga Insajderi.
Në anën tjetër, i pandehuri Valbon Haxhijaj është akuzuar pasi sipas prokurorisë, ai ka marrë substancën e sjell nga bashkëshortja, dhe më t’u vërejtur nga gardianët është vendosur në një dhomë të veçantë ku është kontrolluar e ku i është gjetur droga e tabletat, për të cilat veçse është dënuar tashmë.
Me këtë rast Shehide Gjoka dyshohej se ka kryer veprën penale “blerja, posedim, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substanave psikotrope dhe analoge”
Ndërkaq, Valbon Haxhijaj akuzohej për veprën penale “posedim i paautorizuar i substancave narkotike, substancave psikotrope ose analoge”.
Çka ndodhi tutje?
Pasi dyshja u zunë në flagrancë nga oficerët, filluan edhe akuzat e kundër akuzat ndaj njëri-tjetrit.
Meqë rast, Valbon Haxhijaj akuzonte Shehide Gjokan se ia kishte sjell qëllimisht drogën brenda burgut, dhe se këtë po e bënte sipas tij për të gjetur një arsye për t’u ndarë.
Ndërkohë, Shehide Gjoka e akuzonte atë për kërcënim ndaj saj. Deklaronte se bashkëshorti e kërcënonte me jetë atë dhe familjen e saj, në qoftëse nuk do të vepronte sipas kërkesës së tij.
“Unë jam që katër vite në vuajtje të dënimit dhe se gjatë këtyre viteve kam pas vizita nga Shehidja dhe në vitin 2017 gjatë vizitës jemi zënë për vepër të kësaj natyre, herën e parë substancën narkotike e ka sjellë me kërkesë time me marrëveshje, ndërsa kësaj radhe jo e ka sjell vetë substancën narkotike, gjersa 60 tabletat e llojit “Tramadol” i ka sjell me kërkesën time, dhe është e vërtet se unë kam qenë konsumues i substancave narkotike, ndërkaq Sehidja nuk ka qenë konsumuese e substancave narkotike dhe se me të njëjtën kemi komunikuar nga QKD-ja përmes Skype dhe përmes telefonit që gjendet në kabinat e qendrës në fjalë, dhe se kemi komunikuar para datës 16.05.2022 përmes Skype, ku i kam porositur tabletat, disa rroba, gjësende të tjera si dhe të mi sjell fëmijët dhe se e tableta “Tramadol” nuk është e lejuar, por mua më është nevojitur meqenëse në atë kohë ka qenë mungesë e tyre në spital të Dubravës”, ka thënë i akuzuari Haxhijaj.
“…ndërkaq datë 16.05.2022 me të shkuar në sallë të vizitave, jam ulur në një tavolinë përballë Shehides dhe menjëherë nga e njëjta kam marr një qese e cila për mua ka qenë me Tramadolla, e në ato momente sapo i kam marr aty kanë ndërhyrë zyrtarët korrektues dhe në ato momente Shehidja më ka thënë se: “merre për sipër këtë vepër nëse donë mi pa fëmijët ndonjëherë”. dhe se unë nuk e di arsyen se përse më ka sjell substance narkotike, ajo e din arsyen dhe konsideroj që e ka pas për qëllim që të ketë një arsye për tu ndarë prej meje dhe se unë nuk e kam kërcënuar të njëjtën për të vepruar në këtë mënyrë apo të kem kërcënuar në ndonjë mënyrë atë apo familjarët e saj, dhe unë kam pas me datë 20.06.2022 me dal në vikend dhe po të kisha dashtë me konsumuar substancën…”, deklaronte ai më 29 shtator të 2022-ës.
Në anën tjetër, Shehide Gjoka deklaronte se veprimet e saj kriminale i kishte bërë nën presion dhe kërcenim të vazhdueshëm nga ana e ish-bashkëshortit të saj, të akuzuarit Valbon Haxhijaj.
“Nga ky procesverbal u vërtetua se i akuzuari Valbon sa herë që herë që ka kontaktuar me të mbrojturën time qoftë përmes telefonit nga Qendra Korrektuese në Dograve apo kur ajo ka shkuar në vizitë tek ai, e ka kanosur se do ta gjejë ndonjë e keqe atë apo familjen e saj, nëse ajo nuk vepron sipas udhëzimeve të tij. Kërkesa konkrete e të akuzuarit Valbon Haxhijaj ka qenë që e mbrojtura ime Shehide Gjoka t’i dërgoj substance narkotike atij”, thuhet në deklarimin e mbrojtjes së të akuzuarës.
Çka thanë gardianët?
Në dëshminë e dy zyrtarëve korrektuese, thuhet se ata kanë vërejtur nga kamerat lëvizjet përkatësisht që e akuzuara Shehide Gjoka ka nxjerr diçka nga rrobat dhe që i kishte dhënë të dënuarit Valbon Haxhijaj.
Me të hyrë në sallën e vizitorëve, ata kanë deklaruar se kanë e kanë tërhequr në dhomën për bastisje Haxhijaj dhe i kanë gjetur në xhepin e majtë një qese, të cilën e ka hedhur në dysheme dhe pas hapjes është kuptuar se bëhet fjalë për drogë dhe tableta të dyshuara Trodon.
Andaj, sipas prokurorisë vërtetohej që dyshja paraprakisht kishin një marrëveshje, që Valbon Haxhijaj ishte në dijeni për drogën, dhe që nuk qëndron deklarimi i këtij të fundit se bashkëshortja ia kishte bërë qëllimisht.
“…përndryshe veprimi i ndërmarrë nga ana e tij për hedhjen e qeses vërteton të kundërtën e asaj që deklaron”, thuhet në raport, përcjell Insajderi.
Çifti recidivist
Nga dokumentet që posedon Gazeta Insajderi, mësohet se Valbon Haxhijaj, nga viti 2015 deri më 2023 ishte dënuar për vepra të ndryshme kriminale, si; “vjedhja”, “posedim i paautorizuar i substancave narkotike”, “sulm”, “vjedhje e rëndë”, “vjedhje në tentativë”, “grabitje”, “përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm”.
Shehide Gjoka, në vitin 2017, dy herë ishte dënuar nga Gjykata për “blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve”. Për të njëjtën vepër u dënua edhe tani, në 2023-ën.
Aktgjykimet për të akuzuarin Valbon Haxhijaj:
Më 28.05.2015, Gjykata dënoi me 4 muaj dhe me gjobë prej 150 euro Haxhijaj për veprën penale “vjedhje”.
Për veprën penale “përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm”, në 2015 u dënua me 1 vit burgim e gjobë 600 euro.
Sërish në 2015-ën me 23 prill u dënua me 13 muaj burgim dhe gjobë 300 euro për “vjedhje” si dhe “përdorim të armës”
Me datë 05.01.2017, Haxhijaj ishte dënuar nga gjykata me gjobë prej 200 euro për veprën penale “sulm”.
Më 22.12.2017, Gjykata Themelore në Pejë e kishtë dënuar Valbon Haxhijajn me 1 vit burgim e 500 euro gjobë për veprën penale “posedim i pautorizuar i substancës narkotike, substancave psikotrope ose analoge”.
Me 05.03.2018, ai u dënua me 1 muaj burgim dhe gjobë 600 euro për veprën penale “vjedhje e rëndë”.
17 ditë më vonë, pra 22.03.2018, gjykata e dënoi Haxhijajn me 4 muaj burgim dhe gjobë 800 euro për veprën penale “vjedhje në tentativë”.
Valbon Haxhijaj, në 2018 u dënua edhe për veprën penale “grabitja”, atij gjykata i shqiptoi dënimin me burg prej 3 vite dhe gjobë 300 euro.
Nga aktgjykimet kuptohet se i akuzuari Valbon Haxhijaj është recidivist i shumëfishtë i veprave penale, përkundër që ishte dënuar nga vitit 2015 deri në vitin 2018 ai sërish ka përsëritur veprën penale “posedim i substancës narkotike”, për cilin gjykata tashmë e ka dënuar me 3 vite burgim.
Mbrojtja e tij, Shëndritë Muriqi-Berisha kishte kërkuar nga gjykata që parasysh të kishte edhe rrethanat tjera lehtësuese.
Kishte përmendur që ai ka qenë bashkëpunues me organet e rendit gjatë vuajtje të dënimit, madje që për shkak të sjelljeve të mira, atij i ishte lejuar dalja në vikende.
“Po ashtu të vlerësojë faktin se i mbrojturi im është i moshës së re dhe është baba i dy fëmijëve të mitur 5 (pesë) dhe 8(teté) vjeçare dhe i njëjti gjatë vuajtjes së dënimit ka kryer punë të ndryshme-zanate të cilat mendon ti ushtrojë pasi ta përfundojë dënimin me qëllim që të bashkohet me fëmijët e tij të mitur dhe të ju sigurojë një të ardhme të sigurte dhe të bëhet baba shembull për ta (duke mësuar nga gabimet paraprake të tij), e posaçërisht pasi tani fëmijët e tij i ka lënë qëllimshëm nga përkujdesja edhe nëna e tyre-këtu e pandehura Shehide Gjoka dhe të njëjtit kanë nevojë të pa shmangshme të paktën për përkujdesjen e njërit prind”, ishte kërkesa e mbrojtjes së Haxhijajt ndaj Gjykatës.