Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka paralajmëruar se javët e ardhshme do të shtohet intensiteti i punës së Kuvendit përkundër faktit se a merr apo nuk merr pjesë opozita në votim.
Ajo në këtë intervistë ka shpjeguar edhe arsyen e mosmbajtjes së seancave për gati tri javë, si dhe për akuzat e opozitës se brenda partisë në pushtet ka mosmarrëveshje, ku sipas saj, ato konstatime nuk qëndrojnë.
Kusari-Lila ka thënë se mos mbajtja e seancave të Kuvendit të Kosovës ka qenë e planifikuar për dy javë për arsye të angazhimit të deputeteve jashtë vendit, ndërsa për javën e fundit që nuk janë mbajtur seancat, ajo është arsyetuar për mungesën e dy deputeteve, që sipas saj janë në pushim të lehonisë.
“Dy javët e para ka qenë e planifikuar për arsye të angazhimit të deputetëve, Kuvendi ka prezantuar informata, lajmet qofshin vizitat e deputeteve apo punëtorit të cilat janë mbajtur gjatë dy javëve të shkuara. Duke marr parasysh që opozita nuk merrte pjesë në procesin e votimit si pozitë me vota aktive jemi 61 deputet, kemi treguar që dy deputete janë në pushim të lehonisë, kemi vendosur që të mos thërrasim për arsye që nuk ishte ideja që të prezantojmë rrethanat në të cilat prapë bëhemi arenë e betejës politike pa ndonjë rezultat për qytetarët. Është arritur edhe pajtueshmëri nga opozita siç e deklaruan vetë në seancë pasi që qeveria ka azhurnuar agjendën legjislative për këtë vit duke e shtuar rishikimin e buxhetit sipas kërkesë së Asociacionit të Komunave dhe jemi kthyer”, tha ajo.
Shefja e VV-së ka thënë se beson që puna e Kuvendit do t’i kthehet normalitetit. Ajo sa i përket projektligjit për fertilizim të asistuar mjekësor, i cili nuk ka kaluar në seancën e të mërkurës, tha se nëse e ka mbështetjen e opozitën, në këtë raste të LDK-së do të kaloj edhe ky projektligj.
“Me gjithë atë unë besoj që puna e Kuvendit i kthehet normalitetit, ne presim që në javët në vijim të shtojmë intensitetin përkundër a merr apo nuk merr pjesë opozita në votim. Janë edhe disa projektligje të cilat mund ti kalojmë më shumicë të thjeshtë, janë disa me specifika të cilat ka refuzime brenda grupit, siç është ligji për fertilizimin e asistuar mjekësor i cili nuk kaloj. Por gjithë ashtu nëse vazhdon mbështetjen opozita, në këtë rast Lidhja Demokratike e Kosovës dhe ne do të kemi mundësi ta kalojmë në një seancë të radhës”, ka thënë Kusari Lila për EO.
Kusari-Lila i ka demantuar parashikimet e partive opozitare, sipas të cilave brenda VV-së ka mosmarrëveshje dhe se së shpejti mund të ketë zgjedhje, sipas saj, këto parashikime opozita i ka pasur qysh nga fillimi i mandati të Qeverisë Kurti.
Ajo shtoi se çdo gjë brenda Grupit Parlamentar të VV-së është publike, e që sipas saj, si grup janë shumë transparent dhe se nuk kanë mbajtur asgjë të fshehur që nga fillimi i qeverisjes.
“Këto parashikime opozita i ka që nga fillimi i mandatit qeverisë Kurti II, që nga marsi i viti 2021 vetëm ndërron sezona herë është pranverë, herë është vjeshtë. Prandaj nuk kam çka tjetër të shtoj në lidhje me këtë konstatim. Nuk ka asgjë të bazuar ajo çka shihet me grupin tonë parlamentar është publike, shihet në seancë se si votohet dhe kush merr pjesë edhe si janë situatat rrethana. Ne jemi transparent për këtë çështje nuk është se kemi mbajtur diçka fshehur këto muaj ose këto vite të qeverisjes. Prandaj nuk është e bazuar kjo deklaratë e opozitës sikur se nuk kanë qenë të bazuar për dy vitet tjera të njëjta deklarata”, ka thënë ajo.