7.7 C
Pristina
Friday, November 1, 2024

Buy now

spot_img

Kosova mund të bëhet edhe me një tjetër spital COVID

Si rezultat i numrit të madh të të infektuarve me coronavirus gjatë javëve të fundit, autoritetet përgjegjëse po shqyrtojnë mundësinë e krijimit edhe të një spitali tjetër COVID në vend. Paraprakisht, si masë e riorganizimit, Ambulanca Specialistike në QKUK pritet që shumë shpejt të kthehet në një ambulancë COVID-19, ku do kenë mundësi të trajtohen të gjithë pacientët që kanë simptoma të këtij virusi.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK), Valbon Krasniqi në një intervistë thotë se tashmë kjo ambulancë është e gatshme për të ofruar shërbime.

“Në kuadër të riorganizimit të hapësirave, ne përveç shtretërve kemi menduar ta riorganizojmë edhe më mirë shërbimin e pranimit të ashtuquajtura ambulancat COVID, të cilat do të vendosen tek ambulanca specialistike. Orari është bërë dhe janë përcaktuar ekipet që do punojnë aty. Tash pacientët kur të arrijnë në QKUK do e kenë një adresë të vetme ku do të drejtohen dhe jo të shëtisin nëpër klinika, dhe aty stafi mjekësor në bazë të kritereve të vlerësimeve për pacientët që do kenë nevojë për t’u shtrirë në spital do kenë mundësi për t’u shtrirë… Shumë shpejt brenda këtyre ditëve ne do ta funksionalizojmë këtë shërbim të ri si organizim”, tha Krasniqi.

Krasniqi thotë se gjendja me coronavirus në vend është duke u rënduar çdo ditë e më shumë. Sipas tij nga gjithsej 600 pacientë sa janë të shtrirë në klinikat e QKUK-së dhe spitalet regjionale, 400 prej tyre janë me oksigjenoterapi.

“Situata është duke u rënduar për ditë dhe më shumë. Jemi në një situatë shumë të vështirë sa i përket krijimit të hapësirave të reja me shtretër dhe angazhim të stafit shtesë shëndetësor për t’i trajtuar, po ashtu edhe manifestimet klinike tek pacientët janë jashtëzakonisht të rënda. Kemi pacientë me gjendje shumë të rëndë shëndetësore, mbi 400 pacientë nga 600 sa janë të shtrirë në QKUK dhe spitalet rajonale mbi 400 prej tyre janë me oksigjenoterapi dhe kjo flet për një situatë jashtëzakonisht të rënduar”, tha ushtruesi i detyrës së drejtorit të SHKSUK-së.

E duke e parë që gjendja po rëndohet, Krasniqi thotë se janë duke i shqyrtuar mundësitë e zgjerimit të hapësirave brenda në QKUK.

Madje ai deklaron se Ministria e Shëndetësisë dhe qeveria kanë shqyrtuar mundësinë e krijimit të një spitali COVID-19 jashtë QKUK-së me qëllim të trajtimit të të prekurve me coronavirus.

“Aktualisht në total që i kemi destinuar për pacientët me COVID-19 janë rreth 750 shtretër në nivel të Kosovës, pra përfshirë QKUK-në dhe spitalet rajonale. Varësisht nga shkalla e rritjes së rasteve dhe nevojave të pacientëve ne duhet të krijojmë edhe hapësira të tjera dhe kemi plane për zgjerim të këtyre shtretërve. Por qytetarët duhet ta dinë se çdo shtrat i ri, çdo rritje e numrit të pacientëve e vë në vështirësi të mëdha sistemin shëndetësor pasi nuk është çështja vetëm e një shtrati por duhet angazhim shtesë i personelit për të trajtuar ato raste, infermierë shtesë, shërbime logjistike tjera shtesë për të mbështetur shërbimet ndaj këtyre pacientëve…. Kemi plan edhe për QKUK, kemi plan edhe për disa spitale regjionale për të zgjeruar ende kapacitetet, kemi bllokun internistik që e kemi këtu në Qendrën Klinike, po ashtu Qeveria dhe Ministria e Shëndetësisë ka diskutuar edhe opsione të tjera qoftë krijimin e një spitali të themi jashtë QKUK-së për trajtim të pacientëve me COVID-19. Mirëpo njëherë për njëherë jemi duke menaxhuar me kapacitete tona vetanake që i kemi”, theksoi ai.

Nga vala e të infektuarve nuk kanë shpëtuar as stafi mjekësor, që janë edhe në vijë të parë të fronit në luftimin e pandemisë.

Krasniqi thotë se nga fillimi i përhapjes së pandemisë në mars të këtij viti e deri më sot mbi 700 personelë mjekësorë janë infektuar me COVID-19, dhe se shumica e tyre tashmë janë shëruar dhe janë kthyer në detyrë.

“Kapacitetet janë jashtëzakonisht të limituara dhe po ashtu edhe numri i madh i të infektuarve e vështirëson edhe më shumë. Në nivel vendi që nga fillimi i pandemisë janë diku mbi 700 personelë shëndetësorë që kanë qenë të infektuar dhe tashmë shumica prej tyre janë shëruar dhe janë rikthyer në punë”, thotë ai.

Ndryshe, me shtimin e rasteve të të prekurve me COVID-19, QKUK ka rritur kapacitetet e shtretërve. Në fillim të pandemisë u shfrytëzua vetëm Klinika Infektive si qendra kryesore për trajtim të këtij virusi, por më pas pacientët u shtrinë edhe në Pulmologji, Mjekësi Sportive, Klinikën e Neurologjisë. E, më pas në shërbim të të prekurve me COVID-19 u vunë në dispozicione edhe spitalet regjionale, ku spitali i Vushtrrisë me vendim të Qeverisë u bë edhe spitali COVID-19. /KP

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img