26 deputetë britanikë i kanë dërguar një letër zyrtare Sekretarit të Jashtëm David Lammy.
Ligjvënësit e Mbretërisë së Bashkuar, i kanë kërkuar kryediplomatit një ndryshim rrënujësor në politikën e jashtme ndaj Serbisë.
Kjo letër është nënshkruar nga përfaqësuesit e të gjitha partive politike, në krye me Emma Lewell-Buck, e cila është kryetare e grupit parlamentar “Labour Friends of Kosovo&Western Ballkans”, transmeton Klankosova.tv.
Arsye për këtë iniciativë, ishte pjesëmarrja e presidentit serb Aleksandar Vuçiq, në paradën ushtarake në Moskë më 9 maj, e cila shihet si demonstrim i forcës nga regjimi i Vladimir Putinit.
“Nën Presidentin Vuçiq, Serbia ka forcuar marrëdhëniet me Rusinë, duke qenë vendi i vetëm evropian që nuk ka vendosur sanksione ndaj saj që nga viti 2014,” thuhet në letër.
Deputetët britanikë shprehin shqetësimin për përpjekjet e Vuçiqit për të destabilizuar rajonin e Ballkanit dhe për lidhjet e tij me strukturat paramilitare dhe kriminale në veri të Kosovës.
Po ashtu, letra në fjalë thekson përfshirjen e drejtpërdrejtë të Milan Radoiçiqit në sulmin e 24 shtatorit 2023 në Banjskë, një akt që autorët e letrës e cilësojnë si “terrorizëm i mbështetur nga shteti serb”.
Ligjvënësit britanikë, theksojnë se Serbia ka përdorur një retorikë të rrezikshme nacionaliste dhe ka vazhduar të refuzojë realitetin e pavarësisë së Kosovës.
Në dokumentin zyrtar, ata i bëjnë thirrje Qeverisë britanike të ndërmarrë një sërë hapash:
- Të dënojë publikisht retorikën përçarëse dhe veprimet e destabilizuese të Presidentit Vuçiq.
- Të miratojë sanksione të synuara ndaj Vuçiqit dhe bashkëpunëtorëve të tij.
- Të mbështesë më fuqishëm integrimin euroatlantik të Ballkanit dhe reformën demokratike në rajon.
Deputetët britanikë nënvizojnë se kjo letër nuk është një sulm ndaj popullit serb, por një përpjekje për të ndarë shpresat e qytetarëve për një të ardhme evropiane nga veprimet e një regjimi që “po rrëshqet drejt autokracisë”.