27 C
Pristina
Tuesday, June 18, 2024

Buy now

spot_img

Pensioni kontribut-dhënës, kërkohet zgjatja e afatit për regjistrim

Më 15 shtator përfundon afati për t’u regjistruar për kalim në pension parcial kontributdhënës, për pensionistët e larguar dhunshëm nga puna në vitet e 90-ta, e që nuk i kishin 15 vjet stazh.

Në Shoqatën e Pensionistëve thonë se nëse nuk zgjatet afati, shumë pensionistë mund të mos regjistrohen për kalim në pension kontribut-dhënës.

Pas miratimit të Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për skemat pensionale të financuara nga shteti, me të cilin u largua kriteri për domosdoshmërinë e 15 viteve përvojë punë para vitit 1999 për përfitimin e pensionit kontribut-dhënës, po vazhdon regjistrimi për kalim në pension parcial kontributiv.

Afati për regjistrim, që fillimisht ishte deri në fund të muajit gusht, përfundon më 15 shtator. “Të gjithë pensionistët e larguar dhunshëm nga puna në vitet e 90-ta, mund të aplikojnë për t’u regjistruar për kalim në skemën parciale kontributive, përmes linkut https://info-pensionet.rks-gov.net”, njoftuan ditë më parë nga Ministria e Financave.

Por, sipas kryetarit të Shoqatës së Pensionistëve, Nijazi Gashi, nëse nuk zgjatet afati për aplikim, shumë pensionistë mund të mos regjistrohen. Ai thotë për Radio Kosovën se janë kundër caktimit të një afati strikt.

“Ne nuk jemi për afatizimin e aplikimit, sepse pensionistët i takojnë një moshe të shtyrë. Mund të harrojnë. Nuk kanë fort energji. Mandej mund të mos dinë të aplikojnë online. Por, ka edhe pengesa të tjera objektive që mund të ndikojnë që pensionistët të mos arrijnë t’i respektojnë në përpikëri afatet dhe kushtet. Por, ne shpresojmë se afati do të zgjatet, sepse nuk mund t’i merret e drejta në pension dikujt vetëm pse nuk arrin të aplikojë deri më 15 shtator”, tha ai.

I pari i pensionistëve të Kosovës ankohet për mungesë bashkëpunimi me Qeverinë, teksa shpreh dyshime se do të ketë vonesa në verifikimin e aplikimeve dhe njohjen në pension parcial kontributiv.

“Për qeverinë kjo çështje është minore, por nuk është minore, sepse secili individ është botë më vete dhe një ditë të mbesë pa bukë është e gjatë, e lëre më të jetë kështu me javë e muaj. Unë jam skeptik se njohja e të drejtës për pension parcial kontributiv dhe fillimi i pagesave do të bëhet gjatë këtij viti. Nëse kjo do të realizohet deri në mesin e vitit të ardhshëm, do të isha i kënaqur’, tha Gashi.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img