7 C
Pristina
Sunday, April 21, 2024

Buy now

spot_img

Njëri i akuzuar mungoi për shkaqe shëndetësore, me kërkesë të avokatit anulohet seanca për rastin “Toka2”

Me kërkesë të mbrojtësit të të akuzuarit Dukagjin Emërllahu, avokatit Adhurim Gashi, është anuluar seanca e së premtes, në rastin e njohur si “Toka “.

Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Vesel Ismaili tha se seanca është anuluar me kërkesë të avokatit Gashi, pasi i njëjti ka njoftuar gjykatën se i mbrojturi i tij, Emërllahu nuk mund të jetë i pranishëm në shqyrtimin e sotëm gjyqësor për shkaqe shëndetësore.

Gjykatësi Ismaili bëri të ditur se seanca është shtyrë në kohë të pacaktuar.

Në këtë rast, të akuzuarit Nexharije Hoti, Mehmet Prishtina, Dukagjin Emërllahu dhe Avni Maxhuni, po akuzohen për “Krim të organizuar”, “Nxjerrje të kundërligjshme të vendimeve gjyqësore”, “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Falsifikim i dokumentit zyrtar”, “Shpëlarje e parasë” dhe vepra të tjera, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kurse, ndaj të akuzuarve Reshat Fetahu dhe Gani Ademi, ka arritur parashkrimi absolut i ndjekjes penale ndaj tyre për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Ndryshe, ky rast fillimisht ishte gjykuar nga gjykatësi i krimeve të rënda, Beqir Kalludra, mirëpo me avancimin e tij në Gjykatën e Apelit, lënda nga 3 shkurti 2021 kishte kaluar tek gjykatësi Kushtrim Shyti, i cili nuk ka mbajtur asnjë seancë në këtë rast.

Kurse, më 11 tetor 2021, kjo lëndë ka kaluar në Departamentin Special tek gjykatësja Shadije Gërguri, sipas vendimit të marrë nga kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë për ngarkimin e këtij departamenti edhe me lëndë të Krimeve të Rënda.

Ndërsa, gjykatësja Gërguri, menjëherë pas pranimit të shkresave të lëndës dhe shqyrtimit të tyre, duke vepruar sipas detyrës zyrtare më 8 nëntor 2021 ka marrë aktvendim për hudhje të aktakuzës dhe pushim të procedurës penale ndaj të akuzuarve Fetahu dhe Ademi, për shkak se në gusht të këtij viti kishte arritur parashkrimi absolut i ndjekjes penale.

Ndërkaq, pasi që gjykatësja Gërguri gjendet në pushim mjekësor, kjo lëndë ka kaluar tek gjykatësi Vesel Ismaili.

Ndryshe, në këtë rast fillimisht të akuzuar kishin qenë 24 persona, por Gjykata Themelore në Prishtinë, në shtator të vitit 2018, kishte hudhur poshtë aktakuzën për 17 nga ta.

Të gjithë të pandehurit, po akuzoheshin për blerjen e 36 hektarë tokë të Komunës së Prishtinës dhe Graçanicës, të privatizuara me çmime shumë më të ulëta, se sa çmimi real i tregut.

Duke vendosur lidhur me kundërshtimet e mbrojtjes së të akuzuarve, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Beqir Kalludra, kishte hudhur aktakuzën ndaj të akuzuarve për shpëlarje të parave, Arton Vila, Bejtush Zhugolli, Dalip Brahimi, Jeton Govori, Xhabir Kajtazi, Isak Ademi, Albion Mulaku, Lirim Zeka, Agim Jerlia, Gëzim Rama, Basri Beka, Enver Bajrami, Gani Ferizi, Fehmi Ferizi, Bislim Bajrami, Bajram Gashani dhe Shaip Krasniqi.

Ndërsa, ai kishte aprovuar pjesën e aktakuzës ndaj të akuzuarve tjerë në këtë rast, Nexharije Hoti, Mehmet Prishtina, Dukagjin Emërllahu, Reshat Fetahu, Gani Ademi, Avni Maxhuni dhe tani të ndjerës, Sh.M.

Gjykata e Apelit më 29 tetor 2018 kishte vërtetuar aktvendimin e themelores sa i përket të akuzuarve për shpëlarje parash, si dhe të akuzuarve, Prishtina, Emërllahu, Maxhuni dhe Sh.M.

Kurse, ajo kishte kthyer në rivendosje lëndën sa i përket të akuzuarve Ademi, Hoti dhe Fetahu.

Pas kthimit të rastit në rivendosje, në shqyrtimin e dytë prokurorja speciale, Merita Bina-Rugova, kishte bërë ricilësimin e veprës penale ndaj të akuzuarve Hoti, Fetahu dhe Ademi të akuzuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare në shpërdorimit të pozitës zyrtare nga neni 339, paragrafi 3 i Kodit të Përkohshëm Penal.

Mirëpo, gjykata e shkallës së parë, më 29 maj 2019 sërish i ka refuzuar si të pabazuara kundërshtimet e provave dhe kërkesën për hudhje të aktakuzës të paraqitura nga mbrojtësit e të akuzuarve Hoti, Fetahu dhe Ademi.

Ky vendim i Themelores, më 27 qershor ishte vërtetuar edhe nga Apeli duke i refuzuar si të pabazuara ankesat e mbrojtjes.

Gjithashtu, Apeli kishte pranuar pretendimet e shkallës së parë se tre të akuzuarit duhet të akuzoheshin për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 të KPRK-së pasi që ishte më i favorshëm, dhe jo si “Shpërdorim i detyrës zyrtare apo autorizimit” nga neni 339 par.3 të ish-KPK-së, ashtu siç e kishte ricilësuar prokuroria.

Kjo aktakuzë ishte ngritur më 3 mars të vitit 2017, nga prokurori i EULEX-it, Danilo Ciccarelli, ndërsa më pas kjo lëndë i ishte bartur prokurorit vendas nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.

Mehmet Prishtina, Dukagjin Emerllahu e Nexharije Hoti e Avni Maxhuni, akuzohen për veprën penale “krim i organizuar”. Ata akuzohen se nga fillimi i vitit 2009 e deri në tetor të vitit 2014, në territorin e Kosovës, më qëllim të përfitimit të dobisë pasurore, kanë kryer krime të rënda si pjesë e një grupi kriminal të strukturuar.

Prokuroria pretendon se Mehmet Prishtina ka qenë organizator, mbikëqyrës dhe menaxher i aktiviteteve të grupit kriminal të organizuar të përbërë nga Prishtina, Nexharije Hoti dhe Avni Maxhuni. Hoti e Maxhuni, sipas prokurorisë, dyshohet se i kanë menaxhuar aktivitetet kriminale të këtij grupi duke u dhënë udhëzime pjesëtarëve tjerë të këtij grupi.

Ata akuzohen edhe për veprën penale “falsifikimi i dokumenteve zyrtare”, “shpëlarja e parave në vazhdimësi”, ndërsa bashkë me Emërllahun akuzohen edhe për veprat penale “ndihma në kryerjen e veprës penale të nxjerrjes së kundërligjshme të vendimeve gjyqësore të paligjshme”, “ndihma në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare”, “grabitja” dhe “shpëlarja e parave në vazhdimësi”.

Hoti akuzohet për krim të organizuar të ndërlidhur me veprat penale të nxjerrjes së kundërligjshme të vendimeve gjyqësore dhe shpërdorimit të detyrës zyrtare në vazhdimësi.

Nexharije Hoti akuzohet se si gjyqtare e Gjykatës Komunale të Prishtinës, e caktuar në çështjen civile nr.724/2009, për të drejtat pronësore mbi ngastrat shoqërore, ka gjykuar lëndën në dobi të Dukagjin Emërllahut, i cili ka bashkëpunuar me Mehmet Prishtinën dhe me dashje që t’i shkaktojë dëm buxhetit të Republikës së Kosovës, ka nxjerrë vendim të paligjshëm me të cilin ka aprovuar padinë e Emërllahut për të drejtat pronësore të mbi 45 ngastrave me një sipërfaqe prej 36.45 hektarë, që kanë qenë në posedim të të paditurave KBI “Kosova Export”, dhe zyra rajonale e Asgjësisë Kosovare të Privatizimit.

Për veprën penale të shpërdorimit të detyrës zyrtare në vazhdimësi, akuzoheshin edhe Reshat Fetahu, Gani Ademi, për veprën penale “shpëlarja e parave në vazhdimësi”, akuzoheshin Avni Maxhuni, Sh.M, Jeton Govori, Xhabir Kajtazi, Isak Ademi, Bislim Bajrami, Albion Mulaku, Gëzim Rama, Agim Jerlija.

Për “Shpëlarje të parave”, akuzoheshin Basri Beka, Bajram Gashani, Arton Vila, Bejtullah Zhugolli, Dalip Brahimi, Dalip Brahimi, Lirim Zeka dhe Shaqip Krasniqi.

Ndryshe, lidhur me këtë rast në vitin 2016 është mbajtur mundësia hetuese e veçantë, ndaj gjithsej 51 të dyshuarve lidhur me këto dallavere, ndër ta edhe ndaj ish-deputetit të PDK-së, Azem Syla.

Pas këtij hetimi, prokurori i EULEX-it, kishte ngritur dy aktakuza, njëra e njohur tani si rasti “Toka”, në të cilën akuzohet Azem Syla dhe të tjerët, kurse në tjetrën akuzoheshin 24 persona, që njihej si rasti “Toka 2”. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img